Uidhers: Gratë të ngrenë kokën lart
Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, lëshoi dje një mesazh për gruan shqiptare, të cilës i kërkoi të ngrihej përtej paragjykimeve dhe të angazhohet për të dhënë kontributin e saj. Uidhers, i ftuar në forumin e hapur "Fuqizimi politik i gruas", deklaroi se gruaja shqiptare duhet të kapërcejë pengesat e shoqërisë, në mënyrë që të marrë vendin e saj të merituar në shoqëri. Ai theksoi se Shqipëria ka pasur gjithmonë gra të shquara dhe sipas tij, kontributi i tyre duhet të jetë më i lartë në forume të ndryshme, politikë dhe vendimmarrje. Ambasadori amerikan bëri edhe një apel për të dhënë shpresë për gratë e reja në shoqëri, në mënyrë që ato të investojnë kapitalet e tyre. “Tani është koha t’u japim shpresë grave të reja dhe është me rëndësi parësore arsimimi i tyre, që është themeli i të kuptuarit të gjithçkaje që dëshironi, është themeli i aftësive tuaja, për të arritur atë që i keni vënë qëllim vetes për të ardhmen”, - tha në këtë forum ambasadori Uidhers. Kreu diplomatik amerikan në Shqipëri vlerësoi gruan shqiptare dhe përmendi mjaft gra nga historia shqiptare, për të cilat Uidhers dha një vlerësim të veçantë. Uidhers i përmendi gratë e suksesshme si një shembull për t’u ndjekur nga gratë e tjera shqiptare, në mënyrë që ato, sipas tij, të thyejnë barrierat e paragjykimit dhe të marrin frerët në dorë. Sipas tij, historia shqiptare ka pasur shembuj të vlefshëm, që kanë dhënë kontribut vendit të tyre. Ambasadori Xhon Uidhers përmendi Mbretëreshën ilire, Teuta, njëkohësisht edhe motrën e saj Mamica, të cilat dhanë një kontribut të veçantë për kombin shqiptar në kohën kur ato jetuan. Shembujt e dhënë nga ambasadori amerikan shërbyen për të theksuar mesazhin e tij, që gruaja shqiptare është e barabartë dhe joinferiore në shoqërinë e sotme moderne. Për të ritheksuar mesazhin e tij, Uidhers mori edhe një shembull nga vendi i tij, Presidentin e zgjedhur Barak Obama, në zgjedhjet e fundit të nëntorit. “Barak Obama, që nuk u ndal para çdo pengese e paragjykimi”, - tha Uidhers, i cili shtoi se vetëm me vendosmëri duhet për të mos u ndalur para asnjë pengese, në mënyrë që gruaja shqiptare të mund të kontribuojë në zhvillimin e vendit, duke u bërë një aktor kryesor në të. Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë forum, ambasadori Uidhers tha se ky takim duhet të shërbejë për të rritur më tej rolin e grave në këto forume, të cilat duhet të mendojnë për të ardhmen e tyre, për rolin dhe kontributin e tyre në të ardhmen.