Diplomat e studentëve, si do ekuivalentohen me ligjin e ri
zirina llambro
Zyrtarisht universitetet nuk kanë në dorë draftin, që përmban ndryshimet e bëra në ligjin për Arsimin e Lartë. Pas interesimit në këto institucione ishte e pamundur të sigurojë një kopje të dokumentit në fjalë. Edhe në Ministrinë e Arsimit, veç argumenteve të dhëna dy ditë më parë nga ministri Tafaj, vështirë se mund të sigurohej një kopje e projektligjit të miratuar disa ditë më parë nga Qeveria. Përtej këtij "misteri" dhe për t'i dhënë përgjigje shumë paqartësive që u kanë lindur studentëve, gazeta ka arritur të sigurojë një kopje të këtij drafti. Në pjesën e fundit të tij, kapitulli i dispozitave kalimtare, sqarohet mënyra si do të ekuivalentohen dhe përshtaten diplomat. "Diplomat e nivelit të parë (DNP), të lëshuara ose ekuivalente me to, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë ekuivalente me diplomën universitare "Bachelor". Diplomat e nivelit të dytë (DND) dhe diplomat e integruara të nivelit të dytë (DIND), që ka kanë grumbulluar së paku 300 kredite, janë ekuivalente me diplomën universitare "Master i shkencave", thuhet në ligj. Po kështu, në të përcaktohet se diplomat që kanë zgjatur së paku 4 vite akademike, deri në përshtatjen sipas sistemit të Bolonjës, të ekuivalentuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë ekuivalente me diplomën universitare "Master". Një tjetër sqarim bëhet edhe për "Masterat e Nivelit të dytë". Njohja e tyre për të vijuar doktoratën u është lënë në dorë vetë universiteteve. Studimet "Master i nivelit të dytë" mund të njihen, pjesërisht ose plotësisht për studimet e doktoratës, në përputhje me përcaktimet e bëra në statutet e IAL-ve. Pas një viti nga hyrja në fuqi të këtij ligji, programet e studimeve "Master i nivelit të dytë" përshtaten me programe studimi për diplomën "Master". Nga sa përcakton ligji, studentët e regjistruar në një program studimi para hyrjes në fuqi të këtij ligji do të vazhdojnë studimet e tyre me të njëjtin program studimi për kohëzgjatjen e parashikuar të tij. Në përfundim do të pajisen me diplomë, sipas përcaktimeve të këtij ligji, në përshtatje me programin e studimit të kryer. Nuk do të jetë më e nevojshme që të vendosë Këshilli i Ministrave për hapjen e degëve të reja, në universitetet publike e private. Me ndryshimet e bëra, ligji i jep këtë të drejtë Ministrit të Arsimit. Por ky i fundit duhet të marrë patjetër mendimin e Këshillit të akreditimit të Arsimit të Lartë. Nëse vlerësimi i këtij këshilli është negativ, atëherë "Hapja e programeve të reja të studimeve të të gjitha cikleve të arsimit të lartë privat, mbyllja dhe riorganizimi i tyre bëhen me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, në bazë të kërkesës së institucionit të Arsimit të Lartë", thuhet në draft.