E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: “Qeveria e re e shqiptarëve, jo fraksioneve”

Autori i Lajmit: red.
Intervista

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Xhon Uidhers, vlerëson hapat përpara të bërë në zgjedhjet e së dielës, por shton se autoritetet dhe politika shqiptare duhet të bëjnë përpjekje që herën e ardhshme ato të përmbushin standardet. Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës , ambasadori amerikan shprehet se problemet reale erdhën nga politizimi i situatës. Duke komentuar ndarjen thuajse të barabartë mes kampeve, ai thotë se qeveria e re duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve dhe jo e një fraksioni apo një tjetri.

Zoti ambasador, nëse do të bënim një vështrim kronologjik, kemi ditën e zgjedhjeve e cila praktikisht krijoi përshtypjen e brendshme se gjithçka po shkonte mirë, por raporti i vëzhguesve pati dhe mjaft kritika dhe nuk u përmend fakti se Shqipëria arriti apo mundi të arrinte standardet ndërkombëtare. Kjo erdhi sepse nga komuniteti ndërkombëtar kishte një pritshmëri më të madhe ndaj Shqipërisë? Ju vetë keni thënë se nga Shqipëria pritej më shumë si një vend anëtar i NATO-s.

Mendoj se kishte shumë gjëra të mira për të thënë për zgjedhjet këtë herë. Është kënaqësi, për shembull, që procesi u zhvillua në një mënyrë që dukej e mirërregulluar. Unë vetë vizitova disa qendra votimi dhe pashë që pothuaj në të gjitha rastet gjërat shkonin mirë. Do komentoja edhe që nuk pati ankime serioze mbi veprimtarinë e policisë ditën e zgjedhjeve. Mendoj që sistemi i numërimit paralel apo shumë prej protokolleve të miratuara për të vëzhguar dhe për të siguruar ndershmërinë e zgjedhjeve ishin të gjitha shumë të mira. Gjithçka ishte një hap përpara.
Nuk do të thosha që standardet ndërkombëtare janë më të larta për Shqipërinë. Standardet ndërkombëtare janë të larta për këdo. Nuk përcaktohen standarde të posaçme për Shqipërinë apo SHBA-në. Për shembull, në vitin 2000, pati kritika për votimet tona në Florida. Mendoj se mësimi kyç për Shqipërinë është që përparimi që përmenda, duhet vazhduar dhe duhet ndërtuar mbi të. Nëse këto zgjedhje nuk arritën standardet ndërkombëtare, është shumë e nevojshme për udhëheqjen politike, qeverinë, partitë e opozitës, dhe këdo të përfshirë, që të bëjnë përpjekje edhe më të mëdha herën tjetër, për të përmbushur këto standarde shumë shumë të larta. Mendoj se shqiptarët kuptuan që standardet vërtet janë shumë të larta. Nxorën edhe që me punë më të madhe, përkushtim më të madh, Shqipëria mund t i përmbushë standardet si kushdo tjetër.

Pati në të vërtetë vlerësime të ndryshme nga partitë politike. Patëm kryeministrin, i cili u shfaq i kënaqur dhe nga ana tjetër opozitën, e cila po flet për standarde të cenuara. Kemi dhe një fazë të dytë të procesit të shoqëruar me tensione, vonesa, bllokime kutish, transferime kutish. Kjo pjesë e dytë e cenon atë panoramë të mirë të ditës së votimit?

Mendoj se shqetësimi kryesor për të gjithë, në të vërtetë përmblidhet në një pikë bazë. Ka probleme teknike, por shumica e problemeve reale buruan nga një mjedis shumë i politizuar, gjatë përgatitjeve, dhe pastaj një pjesë të zhvillimit të zgjedhjeve. Për të qenë shumë i drejtpërdrejtë, të dy palët, në raste të ndryshme, dukeshin të kishin qëllimin e fushatës kundër njeri-tjetrit, saqë dukej se anashkalonin faktin se arritja e gjithanshme e zgjedhjeve të shkëlqyera ishte në interesin e madh të Shqipërisë. Për sa i përket fazës tjetër, jemi në fazën tjetër, shumë të rëndësishme, për sa i përket procesit, ndoshta e fundit, pra numërimi i fundit, certifikimi i rezultateve. Është shumë e rëndësishme që komisionerët, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të punojnë si profesionistë, si njerëz të cilëve u është besuar një përgjegjësi më e lartë, jo për besnikërinë ndaj partive të cilave mund t u përkasin, por që procesi të zhvillohet me standardet më të larta, qetë, dhe profesionalisht. Është shumë e rëndësishme të ndodhë kjo, që njerëzit të besojnë rezultatet që do dalin nga komisioni. U kam kërkuar shqiptarëve, partive shqiptare, dhe udhëheqësve, që të jenë shumë të duruar, të lënë procesin të vazhdojë ashtu si supozohet të vazhdojë, siç është përshkruar në ligje, në Kodin Zgjedhor. Të jepet mundësia që procesi të përfundojë në mënyrë të mirërregulluar dhe jo të paraprihen rezultatet apo të arrihen konkluzione përpara se të certifikohen. Është shumë e rëndësishme. Ndaj u bëj thirrje të gjitha palëve dhe atyre që janë përfshirë të jenë shumë të duruar.

Zoti ambasador, një pyetje që nuk lidhet direkt me procesin, por me produktin e tij. Kemi një sistem elektoral, i cili prodhoi pamundësinë e një force politike për të pasur një shumicë qeverisëse, duke iu përmbajtur, të paktën rezultateve të deritanishme. Fakti që qeveria e ardhshme do të mund të jetë e brishtë për nga numrat apo qoftë edhe për nga koalicionet që do të krijojë dhe do të mund të cenojë stabilitetin afatgjatë të një qeverie. A përbën shqetësim për një vend si Shqipëria që duhet të shmangë ulje-ngritje të mëdha politike?

Është një pyetje shumë e rëndësishme. Më vjen mirë që e ngrini. Keni të drejtë. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve ishin shumë të ndërlikuara. Pika kritike që do të veçoja është që treguan një ndarje thuajse 50 me 50, për sa u përket preferencave të votuesve. Besoj se rezultatet e përgjithshme të dy koalicioneve të mëdha ishin thuajse disa pika përqindje larg, ishte thuajse një barazim statistikor. Kuptimi i kësaj është që qeveria tjetër, kushdo që të dalë nga ky proces, dhe do të jetë proces politik e mund të dojë kohë, por kushdo del, ka një përgjegjësi më të madhe. Është shumë e rëndësishme që qeveria tjetër të kuptojë që duhet të qeverisë jo në emër të 50 për qind të atyre që votuan për të, por të shtrijë dorën tek gjysma tjetër e popullsisë që është qartësisht e interesuar në përmirësimin e Shqipërisë. Dhe të përpiqet ta bashkojë kombin për të mirën e tij të përbashkët. Me lejoni t ju jap nja dy shembuj. Gjatë gjithë fushatës, kam udhëtuar, kam takuar njerëz, kam folur me të rinj, të moshuar, të të gjithë spektrit. Disa grupe ishin në një krah, e disa në një tjetër. Por dukej se kishte tema të përbashkëta që këta njerëz donin. P.sh. një përpjekje reale për t i dhënë fund korrupsionit në vend, jo thjesht fjalë, retorike e fjalime të bukura, por veprime dhe masa që do t i jepnin fund kësaj sëmundjeje të tmerrshme për shoqërinë, ndjenja se, pa përparim në këtë drejtim, pengohet zhvillimi i vendit. Më shprehën edhe një ndjenjë tjetër të fortë, që kushdo vjen në pushtet, të respektojë pavarësinë e institucioneve demokratike të vendit, duke filluar me gjyqësorin, por dhe me median, dhe lojtarë të tjerë të procesit demokratik. Dhe se vota për një krah apo tjetrin, nuk ishte mandat për t u bërë presion institucioneve si gjykatat apo prokuroria. Ndaj mendoj se në këtë votë janë shprehur synime të përbashkëta që i ka populli shqiptar si i tërë. Qeveria tjetër e Shqipërisë, me gjithë ndërlikimet që ju përmendët, vërtet duhet të jetë qeveri e Shqipërisë, dhe jo e një fraksioni apo një tjetri.
Ky lajm është publikuar: 04/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›