E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi uron Obamën: “Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA edhe më të mira”

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me rastin e 4 Korrikut, 233-vjetorit të Ditës së Pavarësisë. Në këtë mesazh, Topi ka shprehur bindjen se niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve dy dhe shumëplanëshe midis Shqipërisë dhe SHBA-ve do të pasurohet dhe forcohet më tej në të ardhmen, në të mirë të dy vendeve e popujve tanë miq. “I nderuar zoti President, Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës më jep kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t ju përcjell Juve dhe popullit mik amerikan urimet më të ngrohta dhe më të përzemërta, si dhe suksese në përballjen me sfidat e mëdha kombëtare dhe globale!”, - e ka nisur mesazhin e tij Kreu i Shtetit. Ndërsa ka theksuar bindjen për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, ai ka shtuar se mbështetja e gjithanshme që SHBA i ka dhënë e i jep Shqipërisë, në konsolidimin e parimeve universale të lirisë e demokracisë, në procesin e ndërtimit të një shoqërie të lirë, të një shteti të së drejtës dhe të institucioneve të pavarura, përbën shpresën dhe besimin se populli im do të fitojë betejën e vështirë për demokracinë. “Së bashku me ndjenjën e thellë të mirënjohjes ndaj Jush dhe vendit tuaj dëshiroj t ju siguroj, zoti President, për angazhimin maksimal, timin e të popullit tim, në miqësinë tradicionale dhe partneritetin e ri me popullit mik amerikan”, - shtuna Topi. Sipas tij populli shqiptar, zoti President, zgjodhi me vendosmëri të qëndrojë në krah të popullit amerikan dhe vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, i bindur se kjo është rruga e vetme drejt stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit afatgjatë, kombëtar dhe rajonal dhe prova dinjitoze për t iu bashkuar përpjekjeve për një botë më të mirë dhe më të sigurt. “Duke ju siguruar për ndjenjat e thella të miqësisë së popullit shqiptar dhe me përshëndetjet më të sinqerta, ju lutem pranoni, i nderuar zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” – përfundon mesazhi i presidentit shqiptar dërguar homologut të tij amerikan. Edhe kryeministri Sali Berisha ka uruar Obamën me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, ndërsa e ka informuar dhe për përfundimin me sukses të zgjedhjeve.

Ky lajm është publikuar: 04/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›