E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jep dorëheqjen Irma Bala, Nuni do të gjykojë Mediun

Autori i Lajmit: red.
Gjyqtarja Irma Bala ka dhënë dorëheqjen nga Kolegji Penal për gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Shkak për dorëheqjen e gjyqtares Irma Bala është bërë gjendja e saj shëndetësore, e cila sipas burimeve, nuk i lejon të jetë e pranishme në çështje gjyqësore. Dorëheqja e Irma Balës është pranuar edhe nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, e cila ka vendosur hedhjen sërish të shortit për caktimin e një tjetër gjyqtari. Pas hedhjes së shortit elektronik, u caktua gjyqtari Ardian Nuni si pjesë e pesëshes së Kolegjit Penal. Ardian Nuni ka qenë në qendër të vëmendjes kohët e fundit për atentatin që i bënë në hyrje të banesës së tij, ngjarje kjo që ka mbetur ende pa autor. Tashmë pritet që në seancën e radhës, që është javën e dytë të korrikut, në pesëshe të jetë edhe gjyqtari Ardian Nuni. Gjendja shëndetësore e gjyqtares Irma Bala u bë shkas që seanca e fundit për Fatmir Mediun të shtyhej. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është duke u gjykuar i vetëm në Gjykatën e Lartë, pasi të pandehurit e tjerë janë dërguar për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Por procesi për Fatmir Mediun mund të ngecë sërish. Kreu i republikanëve u rizgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe rifitoi imunitetin që e pengon atë për t u gjykuar. Tashmë Gjykata e Lartë, për të rigjykuar Mediun, duhet t i drejtohet sërish Kryetarit të ardhshëm të Kuvendit për t i kërkuar heqjen e imunitetit Fatmir Mediut.
Ky lajm është publikuar: 04/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›