Uidhers: Reformat duhet të vazhdojnë
Për ambasadorin e SHBA-së, Xhon Uidhers anëtarësimi në NATO do të shënojë një faqe të re në historinë e Ballkanit, por puna për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë nuk ka përfunduar. “Anëtarësimi në NATO është fillimi. Është një hap drejt arritjes së një pragu të pakthyeshëm përparimi demokratik, që të gjithë e kërkojmë në botë. Ne presim që Shqipëria dhe Kroacia të vazhdojnë të rritin ritmin e reformave të tyre demokratike, ekonomike dhe ushtarake, në mënyrë që të mund të japin kontributin më efektiv të mundshëm për këtë aleancë historike”, tha Uidhers. Ambasadori amerikan shtoi se “në pothuaj pesë javë, ne do të arrijmë një moment historik. Aleanca më e madhe politike dhe e sigurisë e kohëve moderne do të mirëpresë Shqipërinë si anëtare me të drejta të plota. Ky do të jetë një nga ato momentet në të cilat historia shlyen vetveten”. SHBA, sipas tij, do të mirëpresë dhe anëtarësimin e shpejtë të Maqedonisë, pas zgjidhjeve të konfliktit me Greqinë.