E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Zgjedhjet, më të mirat që Shqipëria ka njohur ndonjëherë

 

Kryeministri Sali Berisha falënderoi opozitën për reformat e ndërmarra në fushat e ndryshme, çka ndikuan në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO brenda samitit të Strasburgut. Në diskutimin e tij, Kryeministri përmendi bashkëpunimin me forcat politike në vend, duke e cilësuar si një faktor jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe që ka bërë të mundur progresin në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Së bashku me opozitën ne kemi ndërmarrë reforma shumë të rëndësishme në fushën e drejtësisë, kemi marrë reforma të mëdha Kushtetuese dhe zgjedhore, të cilat vërtetë premtojnë për standarde të një niveli më të lartë demokracie në Shqipëri”, u shpreh Berisha. Për sa i përket zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në muajin qershor, Kryeministri siguroi të pranishmit se “qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të zhvilluar zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka njohur ndonjëherë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Kryeministri i ftoi ndërkombëtarët të sjellin në Shqipëri vëzhgues për zgjedhjet. “Do të përpiqemi me të gjitha mjetet tona që të nderojmë, në radhë të parë qytetarët shqiptarë, por të nderojmë edhe miqtë tanë për besimin e tyre ndaj Shqipërisë, shqiptarëve dhe demokracisë shqiptare”, theksoi kryeministri. Berisha për këtë anëtarësim i shprehu mirënjohje të veçantë qeverisë dhe Presidentit të SHBA-së, që themeluan në Tiranë Kartën “Adriatik 3”, si dhe Asamblesë Parlamentare të vendeve anëtare të NATO-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›