E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në mitingjet e dy partive të gatshëm rreth 300 policë

27/06/2009  Të pranishëm edhe efektivë të RENEA-s dhe FNSH-së

Policia e Tiranës angazhoi një pjesë të mirë të efektivëve të saj të specializuar në fushën e rendit e sigurisë në të dyja mitingjet e djeshme përmbyllëse të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Burime pranë grupeve të punës, të ngritura enkas për këto aktivitete, thanë se në mitingun e PD-së ishin të gatshëm rreth 200 efektivë policie. Këtu përfshiheshin forcat e ndërhyrjes së shpejtë, disa efektivë të RENEA-s, efektivë të Gardës, specialistë në fushën e rendit si dhe disa oficerë të sapoemëruar të Patrullave të Përgjithshme. Thuajse i njëjti numër forcash, aty rreth 150, ndodheshin te mitingu tjetër i PS-së. Tek të dyja mitingjet forcat e policisë nuk u konfrontuan për asnjë çast fizikisht me qytetarët. Duhet theksuar fakti se në planin e masave të ndërmarra për këto aktivitete vendosja e policisë nuk është stabël në një vend, por ata zhvendosen sipas urdhrave të eprorëve atje ku situata ka nevojë për më tepër mbikëqyrje. Kordonët e vendosura rreth institucioneve kryesore të vendit nuk lejonin që pjesëmarrësit në mitingje t’i kalonin caqet e sigurisë aty ku mbetej kufiri i lejuar. Burime të besueshme pranë Policisë së Shtetit thanë se efektivët blu garantojnë se nuk do të ndodhë asnjë incident mes tyre dhe protestuesve, vetëm nëse situata do të acarohej me mosbindjen e këtyre të fundit. Puna e oficerëve dhe agjentëve të shpërndarë në terren vazhdoi përgjatë gjithë harkut kohor të zhvillimit të të dyja mitingjeve. Kështu, Policia e Tiranës, ashtu si në të gjitha aktivitetet e tjera politike, është përpjekur të garantojë rend e siguri te qytetarët, për të mundësuar kështu zhvillimin e qetë të mitingjeve apo tubimeve elektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›