Shkodër, grushte në Bushat për këngën e PS-së
Parregullsi në votime, akuza mes PS-PD. Probleme me bojën dhe largime komisionerësh
Procesi i votimit ka nisur në 5 zonat zgjedhore të Qarkut të Shkodrës, ku me gjithë normalitetin që ka sunduar në përgjithësi, nuk kanë munguar as problemet dhe incidentet. Në këtë qark janë 241.793 votues dhe 573 qendra votimi, ndërsa do të dërgohen në Parlamentin e ri 11 deputetë.
Në qendrën e votimit numër 318, në Bushat, është shënuar edhe rasti më i rëndë, ku është rrahur vëzhguesi i PD-së, Kujtim Bushati. Sipas të dëmtuarit, incidenti ndodhi brenda qendrës së votimit dhe autorë ishin kryetari i komisionit të qendrës së votimit, përfaqësues i PS-së dhe vëzhguesi i po këtij subjekti, të dy me të njëjtin mbiemër dhe të afërm të një prej kandidatëve të PS-së.
Sipas të dëmtuarit, sherri nisi pasi kryetari i qendrës së votimit ndezi në celular muzikën e këngës së fushatës elektorale të PS-së. Ndërhyrja e tij ka sjellë dhe përplasje me fjalë e sharje dhe goditjen e tij nga dy përfaqësuesit e së majtës, duke e gjakosur.
Disa qendra votimi në qytetin e Shkodrës u hapën me vonesë për shkak të ndryshimeve të bëra të shtunën mbrëma.
Në qendrën e votimit nr. 305, procesi nisi me 1 orë vonesë, pasi komisionerët e PS-së nuk ishin dakord me dokumentacionin e paraqitur nga homologët e tyre të PD-së. Në qendrën e votimit në fshatin Bratosh të komunës Kastrat, në rrethin e Malësisë së Madhe, komisionerët e PS-së nuk pranuan të nisin procesin e votimit, me pretendimin se kutia ishte prekur gjatë natës. Pasi shkuan atje drejtuesit e KZAZ-së nr.44, gjithçka është sqaruar dhe është konstatuar se nuk ka probleme dhe procesi ka nisur normalisht.
Në qendrat e votimit nr. 270 dhe 276 pati vonesa, pasi u paraqitën me vonesë komisionerët e PS-së. Problemi i vërejtur një natë më parë në rrethin e Pukës, ku u dogjën materialet zgjedhore, u eliminua gjatë natës, pasi KZAZ-ja nr.43 i ka zëvendësuar materialet e dëmtuara dhe në mëngjesin e së dielës gjithçka eci normalisht. Në qendrën e votimit nr. 290 mungoi boja dhe u përdor ngjitës vinovil.
Në komunën e thellë malore të Shoshit, në Dukagjin të Shkodrës, procesi zgjedhor filloi në orën 10:00, sepse, edhe pse baza materiale mbërriti në kohë, komisionerët e majtë e bojkotuan procesin. Në qendrën e votimit nr. 268, në qytetin e Shkodrës, u largua sekretari i qendrës së votimit së bashku me vulën, duke pretenduar se boja që përdoret ishte e skaduar.
Më pas ai u rikthye pas ndërhyrjes së KZAZ-së nr. 40 dhe bindjes nga subjekti i tij politik. PS-ja denoncoi faktin e cilësisë së dobët të bojës së përdorur, duke pretenduar se ajo fshihej lehtë. Sipas kandidatëve për deputetë të PS-së dhe drejtuesve të saj, ky fakt ishte evident dhe po prishte imazhin e zgjedhjeve.
Ndërsa PD-ja ka denoncuar faktin e përdorjes në disa qendra votimi në qytetin e Shkodrës dhe në Bushat, të aparaturave të kontrollit të kartave të identitetit, në kundërshtim me ligjin që nuk e parashikonte këtë.
Në qytetin e Shkodrës, në disa qendra votimi, si ato 267, 268, 305 etj., janë vërejtur përpjekje për të ndërprerë procesin duke detyruar njerëzit të largohen, pasi qëndronin në radhë për të votuar.
Kështu, me pretendimin e bojës, rreth orës 11:00, në qendrat e votimit nr. 267 dhe 268 në qytetin e Shkodrës, tek universiteti, janë larguar komisionerët e majtë. Me ndërhyrjen dhe të anëtarëve të KZAZ-së, tek 267 procesi ka rifilluar, pasi kanë qenë 4 komisionerë të pranishëm, ndërsa tek 268 ai ka rinisur pas 90 minutash.
Largim të komisionerëve të majtë ka pasur dhe në qendrën e votimit nr. 242. Problemet në këto qendra votimi sollën edhe reagime të kandidatëve për deputetë të dy forcave politike kryesore, PD-së dhe PS-së.
PS-ja ka denoncuar faktin e votimit të një personi për të gjithë familjen, kjo sidomos në fshatra dhe praninë e mjeteve me simbole e logo të PD-së në afërsi të qendrave të votimit, siç ka qenë një rast tek oborri i shkollës së ndërtimit.
Nga ana e PD-së është deklaruar se mjetet me logo të partive politike janë private dhe nuk mund të ndalohen të lëvizin nëpër qytet, por në asnjë mënyrë nuk ka patur në afërsi të qendrave të votimit.
Në fshatin Juban u denoncua nga PD-ja prania e një kandidati të majtë, jo i PS-së, para qendrës së votimit, duke ndarë haptas lekë tek personat në këmbim të votës për subjektin e tij politik.
Në qendrën e votimit nr. 302 pati largim me vulë te komisionerit të PS-së, por më pas gjithçka është kthyer në normalitet. Në komunën e Temalit, në qendrën e votimit nr. 135, në Topalnë, sipas PS-së, ka patur raste kur janë penguar të votojnë të moshuar, që nuk janë lejuar të votojnë të shoqëruar.