E Diel, 1 Nëntor 2026

Uithers: Ka pasur presione politike mbi kryeprokuroren

PROKURORIA
"Prokurorët duhet të mbeten të pavarur dhe të lirë ndaj çdo ndikimi apo detyrimi politik, duke hetuar faktet kudo që gjenden"


TIRANË- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uidhers, përgëzoi paraditen e djeshme kryeprokuroren Ina Rama për përballimin me suksese të presioneve politike e mediatike nga të dy krahët e politikës për hetimin e një sërë çështjesh të rëndësishme.


"Ka pasur presion politik ndaj kryeprokurores Rama, nga të dyja anët e spektrit politik, ka pasur artikuj në shtyp të cilët janë munduar ta kritikojnë atë thjesht sepse ka kryer punën e saj ashtu si duhej bërë, ka pasur pengesa ligjore si statuse të dyshimta imuniteti të cilat e kanë bërë ushtrimin e detyrës së saj më komplekse, të gjitha këto me qëllimin për ta bërë atë të anojë nga një kah apo një tjetër i palëve politike",-theksoi dje ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers gjatë një trajnimi për funksionin e njësisë së përbashkët të hetimit të korrupsionit dhe krimit ekonomik të Shqipërisë dhe Malit të Zi.


Ambasadori Uidhers gjatë fjalës së tij, ka përgëzuar kryeprokuroren Rama, duke theksuar se kryeprokurorja Rama ka shfaqur përkushtim dhe angazhim në ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të institucionit që ajo drejton. "Kryeprokurorja Rama ka ruajtur këtë pavarësi me profesionalizëm dhe përkushtim ndaj ligjit dhe parimeve, duke fituar respektin e bashkëkombësve të saj, ashtu si edhe të ne të huajve, që e njohim atë mirë.


Dhe ajo e ka bërë këtë duke u përballur me shumë pengesa",-tha ambasadori Uidhers. Në vazhdim të fjalës së tij ambasadori amerikan i kujtoi prokurorëve të njësisë së task-forcës së luftës kundër krimit ekonomiko financiar se duhet të vazhdojnë punën në bashkëpunim me institucionet tjera të përbashkëta duke mos lejuar që presionet e jashtme të ndikojnë në punën e tyre të rëndësishme. "Prokurorët duhet të mbeten të pavarur dhe të lirë ndaj çdo ndikimi apo detyrimi politik.


Ju keni për detyrë të ndiqni faktet kudo që ato mund t'ju çojnë. E di, nuk është e lehtë, jam i bindur për këtë, dhe shpesh kjo kërkon përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj punës suaj dhe kurajo të jashtëzakonshme",-tha ambasadori Uidhers. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit është një sfidë e ndjekjes së parave, pasi që korrupsioni dhe krimi i organizuar të lulëzojnë, paratë duhet të ndërrojnë pronarë.


"Çdonjëri prej jush, shqiptarë dhe malazezë, keni mundësinë për të punuar së bashku, për të çuar përpara drejtësisë ata njerëz që përpiqen të fshehin apo legjitimojnë paratë e fituara ilegalisht. Duke ndjekur paratë, ju do të gjeni kriminelët",-theksoi Uidhers në fjalën e tij.


Në vazhdim të takimit mes prokurove dhe oficerëve të task-forcës dhe atyre të Malit të Zi të drejtuar nga prokurorja Speciale për Krimin e Organizuar, Korrupsionin, Krimet e Luftës dhe Terrorizmin znj.


Djurdjina Ivanoviç, kryeprokurorja Rama vuri në dukje se krimi ekonomiko financiar është sofistikuar dhe për këtë duhet të trajtohen jo vetëm prokurorët por edhe gjykatësit që do të shqyrtojnë fazën hetimore të çështjes dhe më pas gjykimin e dosjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›