Kukës, stuhitë e borës krijojnë probleme në qarkullim
Një ortek dëbore ka rënë në mesditë në Qafë-Mali duke bllokuar për disa orë qarkullimin e mjeteve
KUKËS - Stuhitë e dëborës shoqëruar me temperatura të ulëta kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve në aksin kombëtar Morinë (Dogana)-Kukës-Fushë-Arrës, ndërkohë që shumë komuna të rretheve Kukës e Tropojë janë bllokuar sërish nga dëbora dhe akulli. Një ortek dëbore që ka rënë në mesditë në Qafë-Mali ka bllokuar për disa orë qarkullimin e automjeteve në segmentin Fushë-Arrës-Kukës.
Por edhe pas rihapjes së rrugës nga mjetet borëpastruese, policia e qarkullimit rrugor nuk ka lejuar lëvizjen e kamionëve më shumë se një aks dhe të trailerave, pasi hapja e rrugës është bërë vetëm me një kalim. Orteqet e dëborës kanë qenë të përvitshme në aksin rrugor Fushë-Arrës - Qafë-Mali - Shemri.
Para viteve '90 kjo zonë ka qenë tërësisht e veshur me masive të drurit të pishës, ku për pasojë nuk është shënuar asnjë rast i rënies së orteqeve.
Pas viteve '90 pyjet e pishës në zonën e Qafë-Malit e Lajthizës janë masakruar nga prerjet pa kriter, ndërkohë që zjarret, sidomos ato të korrikut të vitit 2007, krahas dëmit ekonomik, ka shkaktuar një katastrofë ekologjike duke dëmtuar florën, faunën dhe biodiversitetin, shoqëruar edhe me rrëshqitje toke, rënie orteqesh gjatë dimrit dhe ndotje ambjenti. Vështirësi në lëvizjen e mjeteve ka edhe në akset Kukës-Krumë, Kukës-Shishtavec dhe Kukës -Bushtricë.
Aktualisht në këto zona trashësia e dëborës ka arritur në mbi 20 centimetra, por vazhdimi i saj me intensitet ka përkeqësuar situatën ku erërat e fuqishme me drejtim nga veriu përveç krijimit të akullit në rrugë, kanë krijuar grumbuj të mëdha dëbore. Situatë më e vështirë paraqitet në zonat rurale, ku veç komunave të Zapodit e Arrnit, që janë të bllokuara prej kohësh, janë bllokuar edhe komunat e Grykë-Çajës e Kalisit.