E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uithers: Shqipëria së shpejti në NATO

Tiranë- Ka nisur parada ushtarake me rastin e mbylljes së misionit ushtarak në Irak. Të pranishëm janë kryeministri, Sali Berisha, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ministra të kabinetit si dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uithers. Ai ka falënderuar trupat tona, duke shtuar se nuk është e largët dita kur ne të qëndrojmë krah SHBA-së si anëtarë me të drejta të plota të Nato-s.

Uithers përgëzoi në emër të kombit dhe qeverisë amerikane komandot shqiptare dhe paralajmëroi se nuk do të jetë larg dita kur Shqipëria të jetë krah SHBA-së në NATO "Ju sjell sot falënderimet e qeverisë amerikane për vendosjen e paqes dhe lirisë për një tokë të largët. Sot ju përcjell kurajën e kombit amerikan për sakrificat që bëtë duke qëndruar larg familjeve tuaja. Dhe unë shoh përpara drejt asaj, një drite jo shumë të largët, kur ju të qëndroni përkrah nesh si anëtarë të plotë të NATO-s", tha Uithers ne fjalën e tij përshendetëse.

Angazhimi i Forcës së Bashkuar shqiptare në misionin e quajtur “Liria e Irakut” filloi në Prill të vitit 2003. Në misionin “Liria e Irakut” kontribuan kontingjente të Regjimentit Komando. Kontingjenti i parë deri tek kontingjenti i katërt kanë pasur një efektiv prej 71 ushtarakësh, kontingjenti i pestë e në vijim një efektiv prej 120 ushtarakësh (një kompani komando). Kontingjentet ndërrohen me sistem rotacioni 6-mujor.

Ceremonia me rastin e përfundimit me sukses të misionit të Trupave Shqiptare, në operacionin Paqeruajtës “Liria e Irakut”, që zhvillohet sot do të bllokojë për disa orë lëvizjen në sheshin “Skënderbej”.

Policia e Tiranës ka njoftuar se aktiviteti zhvillohet nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe për këtë janë marrë disa masa në ndihmë të mbarëvajtjes së ceremonisë.

Në këtë kuadër, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka njoftuar marrjen e masave për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike, për garantimin e zhvillimit normal të këtij aktiviteti.

“Duke filluar nga ora 10.00 të ditës së nesërme deri më orën 13.00, do të merren masat për lehtësimin e lëvizjes dhe parkimit të trupave ushtarake, përgjatë sheshit “Skëndërbej” dhe Bulevardit “Zhan D’ark”- thanë burimet e policisë.

Policia ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për bllokimin e këtyre rrugëve dhe kufizimet e qarkullimit në akset përreth tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›