E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet me armë banka në Laprakë

 

Dy persona të armatosur me pistoletë kanë hyrë brenda bankës duke marrë një shumë të madhe parash

TIRANË- Grabitet në mes të ditës me pistoletë lodër një nga filialet e njërës prej bankave private në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00 të ditës së djeshme në Laprakë kur dy persona të maskuar dhe me një pistoletë në dorë kanë mundur të vjedhin një shumë parash në filialin e bankës. Për grabitjen u lajmërua policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes. Oficerët e seksionit të luftës kundër vjedhjeve me armë nisën menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët. Burime nga policia thanë se deri në orët e vona të mbrëmjes u shoqëruan rreth 20 persona por pasi u morën në pyetje ata u lanë të lirë për mungesë provash.

Grabitja

Dy persona të maskuar, njëri prej të cilëve mbante në dorë një pistoletë kanë hyrë rreth orës 12:00 të ditës së djeshme në ambientet e brendshme të filialit të bankës private në Tiranë. Autorët i janë afruar arkëtares dhe nën kërcënimin e armës i kërkuanparatë e xhiros. Për të mos rrezikuar jetën, arkëtarja nuk ka nguruar të mbledhë menjëherë paratë dhe t’ua dorëzojë grabitësve. Sapo kanë marrë paratë autorët janë larguar me shpejtësi ndërsa pistoletën e kanë hedhur në ambientet e brendshme të bankës. Mësohet se ata janë larguar me një motor duke u shpëtuar prangave të policisë. Vetëm kur kanë parë autorët të largohen, punonjësit e bankës lajmëruan policinë.

Policia

Oficerët e policisë gjetën pistoletën e dy grabitësve në bankë e cila ishte një pistoletë lodër por që për dy të rinjtë shërbeu për të mbushur çantën me para. Ndërkohë që policia mori në pyetje punonjësit e bankës për të dhënat e autorëve. “Nga hetimet e para dyshohet se autorët ishin të moshës 20-25-vjeç. Kishin vënë maska në fytyrë si dhe doreza. Ata kanë vepruar me shpejtësi dhe pasi mundën të merrnin paratë u zhdukën me një motor,- thanë për “Shekullin” burimet policore. Të njëjtat burime shtuan se ende nuk janë zbardhur autorët e grabitjes dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre. Mësohet se banka nuk e ka deklaruar shumën e parave të grabitura duke bërë të ditur se nuk është bërë bilanci. Brenda pak javësh, grabitja e djeshme është e treta për të njëjtën bankë private. Tre prej filialeve të kësaj banke në kryeqytet janë grabitur me armë por në asnjë prej këtyre rasteve nuk janë zbuluar autorët, duke alarmuar policinë e kryeqytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›