E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rubik, hidhen në erë oxhaqet e metalurgjisë

 

Pas 70 vjetësh i jepet lamtumira simbolit të industrisë së bakrit në vend. Xhenierët rrafshojnë metalurgjinë e Rubikut

RUBIK - E njohur si simboli i industrisë së bakrit në Shqipëri, tashmë metalurgjia e Rubikut me skeletet e mbetura të saj, gjendet në grahmat e fundit. Shumë shpejt vendi ku për 70 vite është shkrirë bakri i nëntokës së Mirditës, treva më e pasur me mineralin e bakrit dhe minerale të rralla, nuk do të ketë më gjurmë të së kaluarës së saj. Dhjetëra ish-metalurgë që kanë lënë vitet e rinisë, kanë parë këto ditë sesi oxhaqet “kryelartë”, kanë rënë papandehur nga një shembje e përllogaritur me eksploziv nga ish-xhenierë, të cilët firma kontraktuese austriake që po realizon projektin e demolimit të plotë të gjithë zonës, i ka përzgjedhur për të kryer një shembje të tillë të vështirë pranë zonës së banuar. Megjithëse janë kryer disa operacione për të kryer një shpërthim të suksesshëm pa dëme, është dashur angazhimi i ish-specialistëve të xhenios që përmes disa qindra kilogramë lëndë eksplozive të zhdukin nga faqja e dheut pa krijuar asnjë dëm dy oxhaqet dhjetëra metra të gjatë. Prej “gojës” së këtyre oxhaqeve për dekada të tëra ka dalë squfur që rrinte gjithë vitin mbi krye të qytetit, duke krijuar një qytet aspak ekologjik, madje duke fshirë dhe gjallesat përqark ashtu si dhe gjelbërimin, ndërsa pas ndërprerjes së punës në këtë metalurgji dhe uzinën e Rubikut, gjendja pati përmirësim, por nga ana tjetër, qyteti që ishte krijuar pikërisht nga punëtoria e shkrirjes dhe përpunimit të mineralit të bakrit, mbeti thuajse i tëri pa punë.Edhe pse pati mendime të specialistëve të këtij rajoni për të rigjallëruar sektorin e industrisë së bakrit, qoftë dhe përmes koncesioneve, askush nuk u interesua që të ngrinte dhe një herë në këmbë metalurgjinë apo uzinën e përpunimit, vetë koncesionarët qenë të interesuar për burimet e pasura të bakrit, kryesisht Munellën, mineral të cilin e nxjerrin prej vitesh jashtë vendit pa kryer asnjë proces pune mbi të. Por specialistë të huaj kanë vënë re se mjedise të tilla si në fabrika, uzina, metalurgji, fabrika pasurimi të bakrit, etj, në vendin tonë janë të tejngopura me mbetje toksike, ndaj Komuniteti Evropian ka akorduar disa projekte demolimi të plotë dhe asgjësimi përmes groposjes të këtyre mbetjeve që janë të trupëzuara në gjithë këto vende.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›