E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujësjellësi: Rritje të çmimit të ujit, zgjerim të orarit të furnizimit

Do të jetë Enti Rregullator i Ujit ai që do të vendosë nëse do të ketë rritje të tarifës së ujit, në qytetin e Tiranës. Tashmë, janë dhënë vetëm propozimet përkatëse nga ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë, për kategorinë e familjareve, privatëve, buxhetorëve dhe jo buxhetorëve, që të ketë një rritje të tarifës së ujit, rreth 2 fish nga ajo aktuale.

 Në një prononcim për median, drejtori i shitjeve pranë kësaj ndërmarrjeje, thotë se kjo tarifë mund edhe të trefishohej, pasi kryeqyteti ka tarifa shumë të ulëta të cilat nuk i mbulojnë kostot e larta, krahasuar kjo dhe me qytete të tjera në vend. Por, do të jetë ERU, ai që do të vendosë nëse kjo rritje do të fillojë që këtë vit. "Që nga viti 2004 nuk ka një rritje të çmimit, nuk ka një rritje të tarifës, kjo tarifë është shumë e ulët, vetëm 20 lekë të vjetra për 1 metër kub, afërsisht 1mijë litra ujë. Që do të thotë si qytetar paguajmë vetëm 200 lekë të vjetra për 1 mije litra ujë, ndërkohë që normativa konsumi mesatar për një person është rreth 150 litra në ditë. Nga 20 lekë të kalojë në 40 lekë, pse jo të kalonte dhe 60 lekë, sepse sot mund të krahasohemi pa frikë me ndërmarrje të tjera që kanë çmime praktikisht edhe më të larta, në nivelet mbi 40 lekë", thotë Ilirian Shkëmbi, drejtor i shitjeve pranë ujësjellës kanalizimeve në Tiranë. Ndërkohë përfaqësuesit e ujësjellësit thonë se, krahas rritje së tarifës do të ketë një shtim të orareve, të furnizimit me ujë të pijshëm, si dhe parashikohen investime në impiantet kryesore. "Do të shtohet orari i furnizimit me ujë për abonentët dhe natyrisht kjo do të kërkojë dhe investimet. Shoqëria UKT Sh.A Tiranë, përdor burime për të cilat kërkon trajtime të ujit. Flasim këtu për impiantin e Bovillës, kostot e trajtimit të ujit të Bovillës janë tepër të larta, asnjë prej shoqërive të tjera dhe ujësjellësve në gjithë republikën nuk përdori burime të tilla", vijon Shkëmbi. Ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve, ndërkohë shumë shpejt do të pajisë qytetarët e Tiranës, me rreth 20 mijë matës të rinj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›