E Diel, 1 Nëntor 2026

Avioni sportiv i Berishës dhe karroca e Ngjelës

Nga Anastas PJETRI
Kush jemi dhe  ku po shkojmë. Fjalime pa fund, pa doganë, në gjendje të dehur dhe gjysmë të dehur, ndonëse fjalimet e kanë vendin në parlament dhe jo në rrugë. Gjithmonë të fundit për në Evropën e dëshiruar. Komshinjve tanë, maqedonasve, serbeve, malazezve iu hap drita jeshile për vizat. Pse? Sepse përveç të tjerash ata skanë vuajtur për pasaporta dhe karta identiteti. Kanë ditur të bëjnë dhe zgjedhje të lira. Dhe ne përsëri me detyra shtëpie. Një kotësi, një dukuri origjinale, mungesë arsyeje, aspak të dobishëm, ku gjithçka ia kemi lënë trenit të fundit. Integrimi piksepari kalon nga vetvetja. Ne vazhdojmë të vuajmë të gjithë nga idea fikse, se fitorja e PD dotë thotë qeverisje e veriorëve, kurse fitorja e PS do të thotë qeverisje e jugorëve. Mentalitete  që lënë gjurmë në vetë fushatën elektorale, e cila më shumë po shihet si mjet argëtimi se sa si qëllim për të zgjedhur një qeverisje më të mirë. Akoma ne nuk po dimë të bëjm렠 fushatë, të shkojmë në zgjedhje, siç i ka hije një vendi anëtar i NATO-s. Të paktën deri tani, ngjarjet e ndodhura janë të turpshme, të dhimbshme, të shëmtuara në ekstrem. Qysh sa ka filluar gara elektorale kanë ndodhur tre vrasje. Mund të mos kenë lidhje me zgjedhjet, por ja që media e huaj bën punën e saj. Është vrarë deputeti i opozitës. Është vrarë simpatizanti, është vrarë një politikan lokal dhe këto në prag të zgjedhjeve. Në asnjë vend të botës ku deri më tash janë bërë zgjedhje politike, nuk ka ndodhur që OSBE-ja dhe shpura e saj të shkojnë 50 ditë përpara. Vetëm këtu te ne ndodh një gjë e tillë. Nuk ka ndodhur  kështu as në Palestinë, as në Irak, as në Ugandë. SHBA zyrtare na kërkon që zgjedhjet të jenë paqësore, të drejta, të ndershme, sepse deri tani kanë qenë me nuanca  luftarake. Brukseli zyrtar na bën me dije që vota e shqiptarëve të mos jetë kolektive, por individuale, sepse deri tani në Shqipërinë rurale dhe provinciale, deri diku ndofta dhe urbane, një njeri i vetëm ka votuar për gjithë lagjen, mëhallën, fshatin, fisin, krushqinë, sojin e sorollopin. Vetëm në Shqipëri ndodh të kesh votuar 10 herë pa ardhur asnjëherë në vendlindje, pa qenë vetë i pranishëm. Kjo është e vërteta. Opozita ka filluar të japë shenja jo të mira. Ajo duket e pavendosur për zgjedhjet. Heziton me komisionerët. Nuk është dakord me qendrat e votimit në lokale private, që vënë në dyshim manipulimin.  Rreth 8 % e atyre që kanë të drejtë vote, pa pasaportë, nuk kanë mundur të aplikojnë  për karta identiteti. Duhet që e vërteta të thuhet, edhe nëse bota do të thërrmohej në njëmijë pjesë, në njëmijë copëza. Kjo e vërtetë duhet zotëruar... Çdokush duhet të thotë mendimin e vet, edhe nëse ai është i kthyer kokëposhtë. E megjithatë mitingjet vazhdojnë. Programet e qeverisjes së ardhshme janë zëvendësuar me spektakle pa biletë. Liderët politikë këndojnë, qeshin dhe lodrojnë sikur të ishin fëmijë në festën e 1 Qershorit. Kandidatët për deputetë hyjnë e dalin nëpër klube fshati dhe bare qyteti  dhe në mënyrë fshatareske paguajnë kafetë, me gjoksin para duke thënë: E keni të paguar nga deputeti. E quan veten deputet pa u bërë akoma zgjedhjet. Në kokat e tyre mbizotëron ndjenja, unë jam qendra e botës. Me gjithfarë mënyrash luhet pa u lodhur  me ndjenjat e elektoratit. Gjithandej, ambiente publike të mbushura me fotografi, banderola, shifra, shkëlqime, derdhje parash lumë. Kush mban flamurin e subjektit  politik që bën miting shpërblehet me njëmijë lekë të reja. Lart në qiell shikon, ndryshe  nga herët e tjera, një avion sportiv me një banderolë të gjatë ku shkruhet Shqipëria po ndryshon. E ndërsa poshtë, në rrugët gropa - gropa të qytetit, sheh një karrocë biçiklete  të improvizuar, me posterin e rebelit, jo konformistit, borxhliut Ngjela, të tërhequr për dore nga simpatizanti i partisë së tij Ligj e drejtësi. Çfarë koiçidence dhe kontrasti  me luksin e të bërurit fushatë! Shqiptaret janë mërzitur. Në këtë finish fushate ajo po shfaqet me shumë intensitet, kur befas edhe ata e ndjejnë, se janë të mbytur nga hallet, lodhja, gënjeshtrat, turpi. Menjëherë, të sapo dalë nga mitingu, të larguar prej tij, atyre u duket vetja si të shurdhuar në mes të shkrepave. Ata ndihen si të verbuar nga një sy i vetëm gjigand, që shikon nga të gjitha anët mbi miting-bërsin, liderin dhe shpurën e tij, thellë në brendësinë e tyre. Ashtu siç jemi katandisur tani, jemi përsëri në gjendje të përballojmë një dozë të caktuar pakënaqësie, ku truri i shqiptarëve tanimë është mësuar  me këto ushqime të patretshme. Ka të ngjarë, që edhe për shumë kohë, pa këta  kuzhinierë mitingjesh, me ushqimet e patretshme që na servirin, e ngrëna e jetës do na  dukej bajate. Të gëzosh duke vuajtur. Të vuash duke u gëzuar. Pa vullnetin e mirë për të vuajtur, ne do të ishim të detyruar që të linim të na iknin edhe shumë gëzime. Gëzimi i  rrugës së re, që i është prerë shiriti dhe akoma ska përfunduar. Gëzimi i ujit të pijshëm,  që përdoret për vaditje dhe lavazhe. Gëzimi i dritës elektrike, një mall që shitet në treg   me pesë çmime të ndryshme. Gëzimi i rrogës së dyfishuar, kur pjesëtarët e tjerë të familjes janë të papunë dhe që përsëri humbet rrugës pa e ditur ku shkon. E të tjera, e të tjera. Hiqen si njohës të njerëzve, por nuk i shpëtojnë dot vetes. Mjerë fitorja e tyre e gënjeshtrave  të shenjtëruara. Pa pikë turpi del në shesh dhe kërkon të na mbushësh mendjen me britma. Me show papagajsh nëpër tribuna. Me ciu - ciu deputetesh, që dalin me turne në sheshe dhe ekranet e televizioneve. Na kërkohet të jemi pjesë e një gjëje e një diçkaje, që në fakt nuk është e jona, por vetëm e tyre. Na bëjnë ftesë me shkronja të gdhendura përfaqësuesit kandidatë me korrespondencë të PD dhe PS, që u  futën në politikë në momentin kur vendosën të mbathnin sandale me vrima. Njerëz të  rastësisë. Shpikje të Ramës dhe të Berishës. Në çdo shpikje, kurdoherë rastësia sjell pjesën më të madhe, por pjesa më e madhe e shqiptarëve blu dhe rozë nuk e takojn렠 kurrë këtë rastësi. Partitë e mëdha duken se e kanë në tavë fitoren... Tashmë ato janë të pushtuara kokë e këmbë nga efekti i lumturisë. Efekti i parë i lumturisë është ndjenja e fuqisë. Ky efekt kërkon të shfaqet qoftë përballë nesh, përballë të tjerëve, deri përballë  qenieve imagjinare. Mënyrat më të zakonshme të shfaqjes janë; bërja e dhuratave e deri   te tallja dhe shkatërrimi i kundërshtarëve politikë. Në demokraci ka vend për të gjithë, madje dhe për budallenjtë. Këtë spo arrijmë ta kuptojmë. Shqiptarëve nuk u zuri syri,  gjëkundi alternativa, prandaj dhe qeverisja për shqiptarët nganjëherë  i ngjan martesës. E pranojmë martesën, së pari sepse ende nuk e njohim. I tillë a nuk është Edi Rama dhe asambli i tij? Së dyti, e pranojmë martesën sepse mësohemi me të. A nuk është i till렠 Sali Berisha dhe klubi i gjuetarëve të tij?. Së treti, e kemi bërë martesën, në kuptimin  se jemi të detyruar të bëjmë zgjedhjen, të ndjekim rregullat e lojës si gjithë të tjerët, se  fundja na duhet një qeveri. Kështu ndodh në të gjitha rastet. E megjithatë, në këtë mënyrë, asgjë nuk është vertetuar për vlerën e martesës në përgjithesi. Kështu ka ndodhur dhe me qeverisjen tonë. Ne nuk jemi në gjendje të vertetojmë vlerën e qeverisjes në  përgjithësi. Jemi larg, tepër larg në mënyrën se si duhet ta perceptojmë. E perceptojmë  sikur partia politike, qeverisja e saj dhe grupi i deputetëve në parlament të ishin një  ndërmarje rruga-ura, një ndërmarje komunaleje dhe jo si një institucion elitar, që shikon, mendon, projekton ide 20, 30 vjet më tutje, më larg, më lart. Ndoshta asgjë nuk të lodh  aq shumë sa pamja e një fitimtari të përhershëm. Gjithsesi, neve na duhet ti marrim gjërat  e kësaj fushate në mënyrë më të gëzueshme nga sa e meritojnë. Pse? Sepse i kemi marrë  seriozisht ato për një kohë më të gjatë nga sa e meritojnë. Vetëm kështu do ta njohim më mirë  votën e 28 Qershorit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›