Uji “këmbëkryq” mbi Shkodër, ushtria në këmbë
Prefekti i Qarkut, Maxhid Cungu bëri të ditur sot se po vijon puna për evakuimin e banorëve nga fshatrat e Dajçit dhe Obotit, ndërkohë që reshjet e shiut vazhdojnë të bien me intensitet.“Ne po vijojmë të evakuojmë banorët. Dhe në disa raste kur refuzohen, evakuimi bëhet me forcë”, deklaroi Cungu. Ai shtoi se në zonat malore ka të reshura bore. Sipas prefektit të Qarkut të Shkodrës, situata gjithsesi mbetet e qëndrueshme ndërkohë që autoritetet përkatëse janë në gatishmëri për të përballuar situatën. Në zonat e përmbytura po shpërndahen mjete ushqimore për banorët. Nga ana tjetër forcat e ushtrisë po vendosin thasë me rërë për mbushtjen e argjinaturave përmbri lumenjve, për të penguar derdhjen e tyre në hapësira të banuara. Masa po merren gjithashtu edhe për të mos lejuar bllokimin e akseve rrugore ato parësore dhe dytësore. /S.Lleshi/