E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Ligji për Presidentin, tentativë presioni

LSI është kundër ligjit organik "Për funksionimin e presidentit". Nënkryetari i LSI-së Pëllumb Xhufi, tha dje se ky propozim kërkon ta fusë në darë Presidentin e Republikës. 

"Në këtë aspekt, them që edhe kjo ide dhe ky projekt i radhës e i beftë, pasi nuk është thjesht një ide, për ta futur në morsë, në darë Presidentin e Republikës, madje për ta minimizuar dhe banalizuar pozicionin dhe rolin e tij, duket se do të bëhet përmes këtij të ashtuquajturi ligj organik për Presidentin e Republikës. Ne jemi kundër kësaj, siç jemi kundër edhe mënyrës, që është e njëjta me të cilën dy forcat që pretendojnë se kanë marrë në dorë reformat në Shqipëri, po avancojnë edhe me këtë ndryshim tjetër, i cili pa dyshim do të sjellë një përkeqësim të ri në aspektin e balancës së pushteteve në Shqipëri", tha Xhufi. Sipas tij, "kthimi i presidentit si çdo institucion tjetër i nivele të gjykatave, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Larta, KLD-ja, do ta minimizonte rolin e tij". Ideja për krijimin e një ligji për funksionimin e presidentit, është mbështetur edhe nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli dy ditë më parë. "Ne e konsiderojmë Presidentin e Republikës një autoritet mbi autoritetet për vetë simbolikën që mbart, për vetë kompetencat që ai ka si përfaqësues i unitetit të kombit, si komandat i forcave të armatosura, si autoriteti më i lartë që përfaqëson jashtë vendit, politikën e shtetit shqiptar, si garant i ligjit dhe i Kushtetutës", tha nënkryetari i LSI-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›