E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjetërsia e “politikës së re”

Edmond Arizaj 

Politika e re" dhe teknikat novatore të mbjelljes së perime-zarzavateve është sot boshti kryesor ku mbështetet Partia Socialiste për të ardhur në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Një forcë politike, e cila në përballjen e fundit elektorale, gati la pas dore komunat në të gjithë vendin, duke u përqendruar në qytetet kryesore, në po të njëjtat komuna preson me të gjitha energjitë e saj, duke shpresuar në mbështetjet e tyre. Askush nga kryeqyteti, qoftë ky edhe kryetar i një partie të madhe politike, nuk mund të shpresojë ta njohë fshatin më mirë edhe se më "I humburi i katundit". Aq më pak, mund ta njohë për pak orë. Nuk po themi se sapo largohet makina e kryetarit në klubin e fshatit fillojnë batutat me atë çka dëgjuan në shesh, por gaztorët e çdo komune nisin e imitojnë këshillat që u erdhën "nga lart" për punët e tyre aty poshtë. Me pak fjalë një vrimë në ujë. Sepse dikur edhe sekretarët e partisë në rrethe, përpiqeshin me çdo mënyrë t'i mbushnin mendjen kooperativistëve se si mund të rritej prodhimi i grurit dhe misrit, por merrnin me vete në rrugët e asfaltuara buzëqeshjet ironike, që fshatarët shqiptarë dinë t'i japin me aq lezet. E pikërisht kjo e kaluar e hidhur, e të parit që i di të gjitha, ka futur kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, në një qerthull nga ku nuk po del dot. Në përpjekje për të bërë politikë në fshat, Rama po harron qytetin, e mbi të gjitha kryeqytetin, aty ku në fakt bëhet politika. Ndoshta është një shmangie e paparamenduar, por edhe mosqenia e kryetarit në ditën e themelimit të kësaj force politike, tregon se Partia Socialiste pas degëve e trungut, është duke humbur edhe rrënjët e saj, si p.sh., tregimin e forcës së kësaj partie qoftë edhe me festimin e ditëlindjes, sepse dihet që Partia Socialiste nuk është themeluar para tre vjetësh, por vetëm sa ka ndërruar kryetar.
Por i ekzaltuar nga "politika e re" Rama harron historinë e vjetër të PS-së. Një nga gurët e themelit të kësaj partie ka qenë toleranca dhe e drejta për të shprehur mendimin ndryshe, pa pasur frikën e sanksioneve. Për fat të keq, sot ky gur themeli nuk ekziston më, ose ekziston në letër. Partia Socialiste ka pasur një qartësi të frikshme për kundërshtarë, përsa i takon elementëve të saj. Sot këta elementë filtrohen direkt nga Rama, dhe nëse nuk janë seri e tij kanë pak gjasa të gjejnë hapësira në PS-së. Për këtë mjafton të shihet Asambleja Kombëtare. Partia Socialiste ka qenë e njohur për unitetin e saj në çastet vendimtare të historisë së Shqipërisë, atëherë kur vërtetë duhet të dilte në skenë opozita apo pushteti. PS-ja e sotme nuk e tregoi këtë me rastin e Gërdecit. Partia Socialiste nuk bënte marrëveshje me kundërshtarët e saj, për hir të kryetarit, ndërsa e bëri këtë sot në rastin e Kushtetutës. Partia Socialiste nuk ka punuar ndonjëherë "të gjitha për kryetarin", ndërsa e bën sot këtë. Kryetari kërkon sot të ketë Bashkinë e Tiranës, të marrë i vetëm pushtetin dhe bashkinë ta lërë pasi të jetë i sigurt se bëhet kryeministër. Tahmaja e madhe të lë pa gjë, thotë populli, pikërisht ai popull ku Rama është duke zhvilluar të ashtuquajturin dialog.
Në Partinë Socialiste nuk ka ekzistuar ndonjëherë një frymë frike si kjo e tanishmja, për të mos thënë servilizëm. Dhe kjo vetëm pse Rama mban në dorë çelësat e karrierës politike të secilit. Një qejfmbetje e tij tani, e nxjerr kokat në listat e pas një viti. Dhe të mendosh se në Partinë Socialiste, ka nga ata njerëz që janë përleshur (tamam kjo fjalë) me regjimin e egër të Berishës, ka nga ata njerëz, që fjala e dikurshme e të cilëve ishte kapaku për çdo debat, ka nga ata njerëz meritat e të cilëve i njihte kushdo në Partinë Socialiste dhe jashtë saj. E çuditshmja është se këta njerëz janë tulatur. Në skenë janë modelet e Ramës, që kërkojnë një parti evropiane në realitetin shqiptar të Berishës.
Rama ende nuk e ka shpjeguar se çdo të thotë "politikë e re". Nëse është përfundimi i telenovelave post-KPD, kjo nuk është "politikë e re". Sepse kurrë nuk ka pasur në Shqipëri një transparencë të tillë, ku çdo njeri mund të gjykonte i lirë, cila është e mira dhe e keqja brenda PS-së. Nëse "politikë e re" është transformimi që po i bëhet PS-së, nga një trup solid në një trup amorf i mbështetur në synimet e një njeriu, sërish kjo është një humbje e madhe për socialistët. Nëse "politikë e re" është harrimi i të gjithë historisë socialiste, me të mirat dhe të këqijat e saj, edhe këtu shumë socialistë dhe simpatizantë të PS-së e gjejnë veten jashtë. Nëse "politikë e re", do të thotë të jesh pragmatist për interesa vetjake, kjo e çon PS-në në greminë. Nëse "politikë e re" do të thotë të bësh marrëveshje me kundërshtarët duke u përpjekur të tkurrësh aleatët, që dikur i lusje, këtu do të duhej vetëm Dritëro Agolli për të bërë cilësimin. Në Partinë Socialiste gjithçka mund të jetë e re, por vetëm politikë nuk ka, aq më pak të re. Gjithçka është shumë e vjetër. Aq e vjetër, sa as Berisha nuk e përdor më. Tashmë socialistëve u mbetet të zgjedhin se ku do të përfaqësohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›