E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artan Gaçi: “Berisha të japë shpjegime për pasurinë e Priftit”



Partia Socialiste ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme me akuzat drejtuar kryeministrit Berisha dhe ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti. Në emër të PS-së, deputeti Artan Gaçi i ka bërë thirrje dje Berishës që të japë shpjegime për pasurinë e ministrit Prifti. Ai ka akuzuar për korrupsion si ministrin ashtu edhe kreun e kabinetit qeveritar.
“Heshtja e Sali Berishës për korrupsionin e Dritan Priftit tregon qartë se korrupsioni është kthyer në arsyen e vetme të ekzistencës së këtij pushteti të grabitur. Të këtij pushteti ku djali e vajza e kryeministrit fitojnë qindra mijëra euro nga puna si sekserë të pushtetit të të atit, kurse ministrat nën sqetullën e Sali Berishës fitojnë pasuri përrallore në një kohë krize ekonomike. Refuzimi i Sali Berishës për t’u prononcuar për abuzimet marramendëse të ministrit të Ekonomisë, është prova më e dukshme se korrupsioni 1.8 milion eurosh i Dritan Priftit, dhe korrupsioni i të gjithë familjarëve e kushërinjve të këtij pushteti zhvillohet nën bekimin dhe patronazhin e kryeministrit. Vetëm në Shqipëri, dhe vetëm nën sundimin e një kryeministri të zhytur kokë e këmbë në korrupsion bashkë me familjen e tij biologjike e politike, mund të imagjinohet që Dritan Prifti të mos japë llogari për miliona euro të fituara nga korrupsioni në më pak se një vit. Vetëm në Shqipërinë e Sali Berishës dhe familjes së tij, ministrat, djemtë, vajzat e kushërinjtë e ministrave dhe kryeministrit mund të vjedhin e të zhvasin pasurinë e një populli të tërë pa u hyrë gjemb në këmbë, të sigurt se gëzojnë mbështetjen e plotë të krye të korruptuarit të këtij vendi, Sali Berishës”, - është shprehur deputeti. Sipas Gaçit, kriza politike dhe ekonomike, kriza e drejtësisë dhe e demokracisë që ka mbërthyer Shqipërinë është pasoja e drejtpërdrejtë e sistemit të korrupsionit dhe abuzimit që ka ndërtuar Sali Berisha me mandatin e tij të vjedhur. “Prandaj sot më shumë se kurrë Partia Socialiste kërkon transparencë të gjithanshme: të zgjedhjeve, të ekonomisë, të qeverisjes, të privatizimeve, të pasurisë së ministrave e kryeministrit, sepse pa këtë transparencë nuk ka gjasë që në Shqipëri të ketë demokraci funksionale, zhvillim e mirëqenie dhe shtet të së drejtës për të gjithë”, - është shprehur Gaçi në emër të PS-së.

Godo: “Maxhoranca të mos nxitohet me Topin”

Politikani i njohur Sabri Godo mendon se maxhoranca nuk duhet të nxitohet duke ndërmarrë aksione që më pas do të ishin të dëmshme dhe të tensiononin më shumë situatën politike në vend, duke detyruar presidentin e Republikës të dekretojë emrin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Madje hartuesi i Kushtetutës, Sabri Godo mendon se nuk ka asnjë shkelje të Kushtetutës nga Presidenti përsa i përket mungesës së dekretimit të kreut të kushtetueses. “Maxhoranca, kuptohet nga vetë termi ‘maxhorancë’ ka fuqi për shumë gjëra. Mund të thërrasë edhe një mbledhje të posaçme të Kuvendit sepse ka shumicën e votive. Në këtë rast do të më dukej një acarim i panevojshëm në kulmin e vapës. Në vend që ta bëjmë këtë në 15 gusht le të presim në ditët e para të shtatorit”, - tha Godo. Po ashtu, Sabri Godo i sheh arsyet e vonesës se dekreteve të kreut të shtetit, që për të nuk janë shkelje kushtetuese në burokracinë me të cilën trajtohen, por në cilësinë e politikanit të vjetër ai nuk kursen një këshillë për presidentin. “U krijua artificialisht, më tepër për shkak të procedurave burokratike. Është mirë të bëjë këshillime paraprake me kryetarët e grupeve parlamentare kur çon propozimet në kuvend që të mos ndodhet pastaj para befasive që t’ia rrëzojnë kandidaturat”,- tha Godo. Një ditë më parë përfaqësues të Partisë Demokratike paralajmëruan se do të ndërrmarin hapa konkretë për të detyruar presidentin të propozojë kreun e ri të kushtetueses para shtatorit. Madje deputetët demokratë janë të gatshëm të thërrasin në një seancë urgjente parlamentin për të miratuar dekretin e presidentit Topi. Sipas deputetëve demokratë ekzistojnë të gjitha mjetet ligjore për të vendosur çdo institucion brenda kuadrit kushtetues.

2 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›