Rregullorja, si do të bëhet transporti i informacionit “sekret shtetëror”
Ka hyrë dje në fuqi rregullorja e re për transportin fizik të informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”. Miratimi i rregullores së re ka sjellë shfyqizimin e menjëhershëm të dy vendimeve të mëparshme që i përkasin respektivisht vitit 1986 dhe 1987. E para është vendim i Këshillit të Ministrave “për sigurimin gjatë transportimit të postës sekrete me roje ushtarake”, si dhe e dyta që i përket vitit 1987 është “rregullorja për shërbimin e ekspeditës PTT”. Rregullorja e re parashikon mënyrën e transportit të objekteve postare të klasifikuara nga institucionet shtetërore në Tiranë si dhe nga strukturat përkatëse jashtë shtetit, si informacion “sekret shtetëror”. Po kështu parashikohet edhe mënyra e transportit të informacionit “sekret shtetëror”, një njëri qytet i vendit në një qytet tjetër.
Transporti
Në bazë të rregullores së re transportimi i objekteve dhe pakove postare të klasifikuara “sekret shtetëror” nga institucionet shtetërore në Tiranë për në strukturat shtetërore jashtë vendit, bëhet nga 2 korrierë diplomatikë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme ngrihet zyra e korrierit diplomatik, e cila duhet të plotësojë kushtet për sigurimin fizik të informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”.
Korrierët diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, më parë pajisen me të gjitha dokumentet e nevojshme të korrierit diplomatik, si dhe me “certifikatë sigurie”, të përshtatshme nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, sipas legjislacionit në fuqi. Korrierët diplomatikë mbajnë librin e dorëzimit të korrespondencës së informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, i cili regjistrohet te regjistri i regjistrave të informacionit të klasifikuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Korrierët diplomatike janë përgjegjës për mbajtjen, ruajtjen, sigurinë dhe transportimin e objekteve dhe pakove postare të klasifikuara, deri në destinacionin përkatës. Çdo institucion shtetëror, me mjetin dhe personelin e vet dhe sipas rregullave të caktuara në këtë rregullore, dërgon dhe dorëzon objektet dhe pakot postare të klasifikuara “sekret shtetëror” të adresuara për jashtë shtetit, te korrieri diplomatik i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Objektet dhe pakot postare të klasifikuara “sekret shtetëror” të adresuara për jashtë shtetit pas ambalazhimit sipas rregullave përkatëse dyllosen, vulosen me vulën e thatë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Korrieri diplomatik, para marrjes në dorëzim, kontrollon çdo objekt dhe pako postare të klasifikuar dhe pasi sigurohet se çdo gjë është në rregull, nënshkruan në librin e dorëzimit të korrespondencës së informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” të institucionit dërgues. Objektet dhe pakot postare të klasifikuara transportohen duke i siguruar në valixhen diplomatike. Të gjitha objektet dhe pakot postare të klasifikuara regjistrohen te libri i dorëzimit të korrespondencës së informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” të korrierit diplomatik, i cili mbahet në valixhen diplomatike së bashku me objektet dhe pakot postare të klasifikuara. Korrierët diplomatikë dorëzojnë objektet dhe pakot postare të klasifikuara në zyrën e informacionit të klasifikuar të institucionit marrës. Marrësi në dorëzim kontrollon çdo objekt dhe pako postare të klasifikuar dhe në rast së çdo gjë është në rregull, nënshkruan marrjen në dorëzim të tyre te libri i dorëzimit të korrespondencës së Informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” të korrierit diplomatik. Në rast se në objektet dhe pakot postare të klasifikuara “sekret shtetëror” vërehen mungesa apo pasaktësi, punonjësi i zyrës së informacionit të klasifikuar i institucionit marrës, ja kthen zyrës dërguese nëpërmjet korierit diplomatik. Ndalohet dërgimi i materialeve dhe sendeve personale, gjatë transportimit ndërkombëtar të objekteve dhe pakove postare të klasifikuara nga institucionet shtetërore në Tiranë, te strukturat përkatëse jashtë shtetit dhe anasjelltas.
Institucionet shtetërore, të cilat kanë informacion të klasifikuar “sekret shtetëror”, në bazë të rregullores së re, hyjnë në marrëdhënie kontraktore me Postën Shqiptare sh.a., për transportimin e objekteve dhe pakove postare të klasifikuara “sekret shtetëror”, si dhe për tarifat e këtij shërbimi. Pranimi, përpunimi, shoqërimi, sigurimi, transportimi dhe dorëzimi i objekteve dhe pakove postare të klasifikuara “sekret shtetëror”, kryhet nga Posta Shqiptare sh.a., me mjetet dhe personelin e saj, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në këtë rregullore. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dërgon, në mënyrë të vazhdueshme te Posta Shqiptare sh.a., listën e institucioneve shtetërore, të cilët administrojnë informacion të klasifikuar “sekret shtetëror” sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Transportimi i objekteve dhe pakove postare të klasifikuara “sekret shtetëror” ndërmjet institucioneve shtetërore brenda qyetetit, kryhet me mjetet dhe personelin e çdo institucioni. Ai kryhet nga korrieri, i postës së klasifikuar “sekret shtetëror”, i institucionit, dhe shoferi i automjetit pasi kanë marrë më parë certifikatën e sigurisë. Ata caktohen dhe autorizohen nga titullari i institucionit.
Meta takon ministrin e Jashtëm të Andorrës, bisedon për bashkëpunim dypalësh
Zëvendëskryeministri, Ilir Meta zhvilloi dje një takim me ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Marrëdhënieve Institucionale të Andorrës, Xavier Espot Miro. Ministri i Jashtëm andorren, Espot Miro u shpreh se ndihet shumë krenar për vizitën e parë të një ministri të Jashtëm shqiptar në Andorra. “Kjo vizitë do të shërbejë si një pikënisje në zhvillimin e raporteve midis Shqipërisë dhe Andorrës në të ardhmen”, u shpreh ministri i Andorrës. Në bisedimet zyrtare midis dy delegacioneve që u zhvilluan në selinë e qeverisë së Principatës së Andorrës të dy ministrat ranë dakord në konkretizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në fushat me interes të përbashkët si turizmi, bankat, mjedisi, infrastruktura etj., nëpërmjet krijimit të një kuadri të plotë ligjor. Pala shqiptare do të përgatisë projektet e marrëveshjeve dypalëshe në secilën nga fushat e përmendura.
Ministri Meta e informoi homologun andorren lidhur me progresin e bërë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, liberalizimin e shpejtë të vizave dhe përfitimin së shpejti të statusit të vendit kandidat. Ministri Meta e informoi homologun andorren lidhur me situatën në rajon dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në marrëdhëniet me të gjithë vendet e rajonit. Ai u shpreh vendimi i ditëve të fundit i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës do t’i shërbejë forcimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
2 Gusht 2010