Uji i pijshëm, debitorët VIP në gjyq
VLORË - Rënia e nivelit të arkëtimeve të ujit të pijshëm pritet të nxisë një aksion në shkallë të gjerë për prerjet masive te debitorët e Vlorës. Lajmi konfirmohet nga ndërmarrja e ujësjellësit të qytetit bregdetar. Sipas degës së shitjes pritet tashmë aksioni, i cili do të prekë shumë nga lagjet e qytetit, ku rezultojnë borxhe të pashlyera. Rajmonda Duka, kryetare e degës së shitjes në ndërmarrjen e ujësjellësit, thotë se aksioni do të nisë kryesisht në kabinat ku ka nivel arkëtimi më pak se 45%. Edhe pse fatura që i duhet paguar ujësjellësit për ujin vlerësohet me një peshë të vogël për buxhetet familjare, gjithsej 540 lekë te reja në muaj, kjo nuk ka përjashtuar njerëz “VIP” apo intelektualë nga fusha të mjekësisë e drejtësisë. Për këta debitorë janë përgatitur edhe procedime në prokurori. “Për të tillë debitorë”, pohon Duka, “ne do t’i drejtohemi gjyqësorit. Kemi depozituar fillimisht një listë me 80 debitorë dhe tani do të çojmë edhe një listë të dytë me 80 debitorë të tjerë, dhe do t’ia lëmë në dorë drejtësisë”. Sipas saj ka debi të pashlyera prej vitit 1997, çka edhe do të iniciojë prerjet masive. Siç mësohet, masa e arkëtimit deri tani në ndërmarrjen e ujësjellësit është rreth 55% të popullatës. Probleme nuk ka me privatët dhe ndërmarrjet buxhetore, ndërkohë që aksioni pritet të përqendrohet te konsumatorët familjarë.