E Diel, 1 Nëntor 2026

Dorëhiqet drejtori i policisë së kryeqytetit

Me kërkesën e tij, Muhamet Rrumbullaku, ka lënë policinë e Tiranës për të kaluar tek Akademia e Policisë

TIRANË- Kreu i policisë së kryeqytetit është tërhequr nga detyra e tij paraditen e djeshme për shkak të një sëmundjeje. Me kërkesë të Muhamet Rrumbullakut, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, miratoi largimin nga posti i drejtorit të policisë së qarkut Tiranë duke e emëruar si Drejtori i Akademisë së Policisë. Në krye të policisë së kryeqytetit është komanduar Hamdi Fjora, i cili deri dje mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Forcave Lëvizëse Operacionale e Sigurisë Publike. Ndërkohë që ditën e djeshme Muhamet Rrumbullaku që mban gradën drejtues i parë, ka mbajtur një fjalim me rastin e dorëzimit të detyrës pas rreth 30 muajsh. “Tashmë që kam kaluar 20 vjet pune intensive, me rezultate gjithnjë në rritje, me ngarkesa psikologjike, morale, me sakrifica për veten dhe familjet tona, e kam për obligim moral dhe funksional, të bëj një bilanc dhe vlerësim, për ata njerëz me të cilët kam përballuar sfidat e këtij profesioni” u shpreh Rrumbullaku

Detyrat

Muhamet Rrumbullaku u emërua rreth dy vjet më parë në detyrën e drejtorit të policisë së qarkut Tiranë. Puna e tij u vlerësua nga drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit kur Rrumbullaku ishte në postin e drejtorit të policisë së Durrësit gjatë kohës që u shkatërruan disa banda famëkeqe në këtë qytet. Kështu ai u emërua në drejtorinë e policisë më të rëndësishme në vend. Gjatë kohës që Muhamet Rrumbullaku drejtoi policinë e Tiranës kjo e fundit u përfshi nga struktura e re, u formua për herë të parë Patrulla e Përgjithshme, por kjo drejtori pasoi edhe me reforma. Ndërkohë që pak ditë më parë, Rrumbullaku bëri kërkesë për tu tërhequr nga posti i drejtorit të policisë së kryeqytetit për arsye shëndetësore. Detyrat voluminoze detyruan drejtuesin e parë të tërhiqet, për të pranuar një tjetër postë më me pak përgjegjësi. Tashmë Drejtues i Parë Muhamet Rrumbullaku do të drejtojë të gjitha trajnimet për personelin e ri që do të shërbejë në polici, si dhe programin e trajnimit bazë 11- javor, i nevojshmen për 6500 oficerë policie në nivel operacional. Do të menaxhojë oficerët për trajnimet në terren, si dhe koordinimin e një investimi prej gjashtë milionë eurosh në Akademinë e Policisë, investim i dhënë nga BE.

Lëvizjet në polici

Largimi i Muhamet Rrumbullakut nga posti i drejtorit të policisë së Tiranës, ka pasuar ditën e djeshme me lëvizje të tjera. Kështu drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi ka emëruar Shkëlqim Saçon, si Drejtor i Drejtorisë së Arsimit Policor në Departamentin e Trajnimit Policor, i cili deri dje ishte këshilltar i tij. Shkëlqim Saço do të jetë përgjegjës për menaxhimin e të gjitha trajnimeve për zhvillim profesional në të 12 drejtoritë e qarqeve si dhe të gjithë departamenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Edmond Rizai, deri me tani Zv/drejtor i Policisë Qarkut Tiranë, emërohet Këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm. Ndërsa në vend të tij është komanduar Arben Caka që deri tani kryente detyrën e Shefit të Seksionit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.

LËVIZJET

Muhamet Rrumbullaku, deri tani Drejtor i Policisë Qarkut Tiranë, emërohet Drejtor i Akademisë së Policisë.

Hamdi Fjora, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Forcave Lëvizëse Operacionale, në Departamentin e Sigurisë Publike,caktohet përkohësisht si Drejtor i Policisë Qarkut Tiranë.

Jashar Vreka, deri tani Drejtor i Akademisë së Policisë, emërohet Këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Shkëlqim Saço, deri më tani Këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm, emërohet Drejtor i Drejtorisë së Arsimimit Policor në Departamentin e Trajnimeve.

Edmond Rizai, deri me tani Zv.drejtor i Policisë Qarkut Tiranë, emërohet Këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm.

Arben Caka, deri tani kryente detyrën e Shefit të Seksionit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, caktohet përkohësisht si Zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve në Drejtorin e Policisë së Qarkut Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›