Piratët somalezë shtyjnë afatin e ultimatumit
Mes 20 pengjeve të anijes ukrainase ndodhet edhe një shtetas shqiptar. Kërkohen 20 milionë dollarë për të liruar pengjet
Piratet somaleze kanë shtyrë edhe një herë afatin e ultimatumit për të hedhur në erë anijen ukrainase në bordin e së cilës ndodhet një shqiptar. Që më datë 25 shtator piratët kanë marrë peng anijen ukrainase “MV Faina” dhe kërkojnë 20 milionë dollarë dëmshpërblim. Ata kanë kërcënuar se do të vrasin të gjithë ekuipazhin e anijes, mes të cilëve ndodhet edhe një shtetas shqiptar.
Fillimisht sipas i vendosur nga piratët somalezë skadonte të hënën në mbrëmje, por pas kërkesës së bërë nga pronari i anijes, piratët kanë vendosur që ta shqyrtojnë edhe një herë ultimatumin e tyre. Aktualisht anija ukrainase “MV Faina” është e rrethuar dhe e vëzhguar nga një luftanije amerikane, ndërkohë që dhe një anije ruse po mbërrin për ndihmë. Anijet amerikane dhe ruse janë gati për të ndërhyrë për të shpëtuar pengjet por janë ende duke pritur përfundimin e negociatave. Në bordin e kësaj anijeje ndodhen aktualisht 20 vetë, shumica ukrainas dhe një shqiptar. Një anëtar tjetër i ekuipazhit, vdiq nga infarkti në kohën e marrjes peng të anijes. Ndërkohë në Kiev të Ukrainës, të afërm të pengjeve kanë protestuar duke i kërkuar presidentit vendas Viktor Jushcenko të nisë urgjentisht bisedimet për kërkesat e piratëve për shpërblim. Por nuk pritet që të ketë bisedime, pasi qeveria e Kievit ka thënë se do përdoret forca për të zgjidhur këtë krizë në Gjirin e Adenit, ku piratët mbajnë peng gjithsej 30 anije të tjera, që kanë kaluar në këto ujëra ndërkombëtare gjatë këtij viti. Somalia është vendi i vetëm në botë ku ujërat rrezikohen ende nga piratët. Edhe pse qeveria vendase është përpjekur disa herë që t’i ndalojë, nuk ia ka arritur qëllimit.