E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, mbi 100 milionë lekë ilaçe stok

SKANDALI/ Në tendera blihen medikamente që nuk kërkohen nga mjekët dhe që përdoren shumë rrallë prej tyre

Drejtori i spitalit thotë se dyshohet që blerjet të jenë bërë në bazë të interesave të fituesve të tenderave, jo të nevojave

VLORË – Skandal është cilësuar mungesa e medikamenteve në spitalin rajonal të Vlorës. Një cilësim i tillë është bërë jo thjesht për gjendjen e krijuar, por më tepër për abuzimet e kryera nëpër tendera. Një informacion i fundit i dërguar nga ana e spitalit rajonal të Vlorës drejt Ministrisë së Shëndetësisë ka nxjerrë se mbi 100 milionë lekë ilaçe rezultojnë të jenë stok, në një kohë kur spitali ka mungesë të ilaçeve më të domosdoshme. Kreu i spitalit rajonal, Luter Nuraj, pohon për gazetën “Shekulli” se atyre u janë sjellë shumë lloje medikamentesh të cilat nuk ishin kërkuar, në një kohë që kërkesat e tyre janë marrë parasysh shumë pak. Ky invers, sipas tij, ka krijuar në mënyrë artificiale mungesat, të cilat më shumë se mungesa në fonde, kanë qenë mungesa në menaxhim. Blerja e ilaçeve të pakërkuara në sasi të mëdha ngre dyshimin se mund të jetë bërë për të favorizuar direkt ata që kanë fituar tenderat, pohon Nuraj. Në një shkresë të drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë tregohet se me lidhjen e kontratave të reja të vitit 2008, midis spitalit të Vlorës dhe shoqërive farmaceutike për medikamentet, vërehen probleme me planin e bërë nga ky institucion. Kështu, janë sjellë sasi më të mëdha nga sa janë kërkesat e vetë spitalit për disa lloje medikamentesh, por janë sjellë edhe lloje të pakërkuara, ndërsa ato të kërkuara, ose nuk janë futur në planifikimin e ministrisë, ose janë planifikuar në sasi shumë të vogla. Kreu i spitalit rajonal, Nuraj pohon se rastet në fjalë kanë sjellë anomali të dukshme. “Për këtë”, thotë ai, “duhet të merren përsipër përgjegjësitë për gjendjen e krijuar. Edhe sy njeriu kanë sjellë në spital, pa kërkuar ne nga ato”, vëren ai. Kreu i spitalit thotë se ka mbledhur mjekët dhe i ka pyetur, duke qenë se gjithçka bëhet në bazë të kërkesave, por askush nuk e kupton këtë prurje ilaçesh të pakërkuara. Në raportim thuhet se nga verifikimi i kontratave të lidhura, vërehet se disa medikamente nga lista e parë, të sjella me tepri, kanë çmime shumë të larta dhe për rrjedhim zënë një fond shumë të madh, duke krijuar mungesa në sasi dhe në fond për medikamente të tjera, më të domosdoshmet në shërbimin spitalor. Duke kërkuar ndërhyrjen e ministrisë, drejtori i spitalit të Vlorës bën me dije se gjatë kësaj periudhe në spitalin rajonal të Vlorës nuk disponojnë asnjë lloj antibiotiku.

Ilaçet, nuk ofrohen ato që kërkohen

Në listën e ilaçeve stok renditen 8 zëra, ndërmjet të cilëve:

-methacolinë chloride 1% 30 mg janë planifikuar për spitalin 200 flakonë, të cilat nuk janë kërkuar dhe nuk mund të përdoren. Këto kanë një vlerë prej 879 720 lekë. Kjo sasi kalon në mall stok në magazinën e farmacisë.

-ketoprofen 900 kapsula, me një vlerë prej 50 mijë lekë, të pakërkuara

-epinephrinë 01% 1ml, janë kërkuar 700 ampula dhe janë planifikuar 4 mijë ampula, të cilat do të arrijnë të dalin jashtë përdorimit, pasi afatin e skadencës e kanë të shkurtër. Kjo sasi zë një vlerë prej 300 630 lekësh.

-janë planifikuar 20 herë më tepër potassium chloride

Nuk ofrohen

-Ndër medikamentet e planifikuara më pak se kërkesa renditen gentamicina, ku janë kërkuar 40 mijë dhe janë planifikuar 7 mijë, sasi kjo shumë e vogël për kërkesat që ka vetë spitali.

-Disa herë më pak janë planifikuar edhe cefazolinë, manitol, amoxicilin, e një listë e tërë medikamentesh, gjithsej 27 të tillë, ku mospërputhja kërkesë-plan arrin edhe 10 -15 herë më pak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›