Policia italiane vret emigrantin nga Shqipëria
Thoma Zeni dhe një shqiptar tjetër po ndiqeshin nga policia italiane pasi dyshoheshin për vjedhje makinash në Siena
ITALI- Një emigrant shqiptar është vrarë mëngjesin e djeshëm nga policia italiane vetëm sepse ai nuk pranoi të ndalonte kur u urdhërua. Viktima është 35- vjeçari Thoma Zeni dhe ngjarja ka ndodhur gjatë një operacion-kontrolli në provincën e Colle Val D'Elsa në Siena të Italisë. Mediat lokale raportuan dje se rreth orës 06.30 minuta të mëngjesit, karabierët italianë ishin vënë në ndjekje të një makine e cila rezultonte se ishte vjedhur në Colle Valdelsa, provincë e Sienas në Itali. Në tentativën për t’u larguar makina është përplasur me një mur dhe më pas me vetë makinën e policisë. Menjëherë dy personat, të cilët ndodheshin në makinë, kanë tentuar të largohen për t’i shpëtuar arrestimit. Ata kanë tentuar të arratisen në këmbë drejt fushave. Në këtë moment karabinierët italianë kanë dëgjuar një shpërthim të lehtë dhe menjëherë kanë nisur të hapin zjarr drejt dy shqiptarëve që po largoheshin me vrap. “Karabinierët kanë qëlluar të paktën 5 herë, pasi kanë parë dy shkëndija në makinën e shqiptarëve dhe kanë dëgjuar dy shpërthime që mendohet të kenë qenë të airbag të makinës. Një nga dy të personat që ndiqeshin, Thoma Zeni ka vdekur, ndërsa tjetri ka arritur të arratiset”,- pohuan mediat italiane në lidhje me ngjarjen.
Sipas tyre, viktima, është ndaluar disa dhjetëra herë në pjesë të ndryshme të Italisë. Shërbimet e kontrollit të karabinierëve kanë bërë të ditur se ishte tentuar dhe dy herë të tjera të ndalohej kjo makinë e vjedhur. Mendohet se shqiptari ishte pjesë e një organizate që merrej me vjedhjen e vilave. Gjithsesi në Itali janë hapur hetimet për vrasjen e 35-vjeçarit, ndërkaq vazhdojnë kërkimet për shqiptarin tjetër të arratisur. Pjesë e hetimeve do të jetë përgjegjësia e policisë në këtë ngjarje. Gjatë orëve të pasdites hetuesit kanë marrë në pyetje dy karabinierët që kanë qëlluar me armë dhe vrarë 35- vjeçarin shqiptar Thoma Zeni.