Uji i pijshëm, klorinimi bëhet primitivisht
VLORË- Klorinimi i ujit të pijshëm në Vlorë dhe amortizimi i rrjetit janë problemet kryesore të konstatuara nga Drejtoria e Shëndetit Publik. Analizat e ujit të pijshëm dëshmojnë se klori ose është me shumicë, ose me pakicë dhe kjo për shkak të teknikave që ndiqen në hedhjen e klorit. Sipas shefit të higjienës, pranë kësaj drejtorie, Hasan Cufaj, nuk ka probleme me nivelet bakteriologjike, siç dhekanë rezultuar nga analizat e fundit, por problem mbetet mënyra primitive me të cilën kryhet klorinimi. “Si pasojë e mënyrës primitive të klorinimit, klori hidhet me shumicë, ose me pakicë, duke shkaktuar problematika në cilësinë e ujit të pijshëm”,- pohon Cufaj. Hedhja e klorit, sipas ritmeve në njësinë e kohës, bëhet me teknika jo të duhura, ku ka raste që uji mund të jetë me nivel të lartë klori. Problem tjetër, sipas tij, sidomos tani që jemi në kohën e reshjeve, ku Vlora preket edhe nga përmbytjet, është amortizimi i rrjetit. Duke patur një nivel të tillë amortizimi, krijohen kushtet që uji të përzihet me mbeturina të tjera dhe viruse duke i dërguar ato në popullatë. Si zgjidhje të vetme, specilalisti i higjienës sheh vetëm ndërhyrjen në rrjetin e ujësjellësit, në bazë të projektit më të fundit që është prezantuar në sistemin e ri të rrjetit furnizues të ujësjellësit, projekt ky që ka afat kohor trevjecar.