E Diel, 1 Nëntor 2026

Armët në zarf nga Holanda, i pandehuri fiton ulje dënimi

Gjykata e Krimeve të Rënda pranon gjykimin e shkurtuar për Agim Shëngjonin, që trafikoi pistoleta nga Holanda TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda lexoi mëngjesin e djeshëm kërkesën për gjykim ndaj të pandehurit Agim Shëngjoni, i akuzuar për “trafik të armëve dhe municioneve” nga Holanda në Shqipëri. Togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, pas pranimit të kërkesës së të pandehurit dhe mbrojtësit të tij ligjor për shqyrtimin e dosjes në aplikim të gjykimit të shkurtuar i dha fjalën prokurorit të çështjes, Bardhok Lleshi, për të lexuar kërkesën për gjykim. Sipas prokurorit Lleshi, pas informacioneve të ardhura nga zyrat e doganës në Tiranë se në një kuti të ardhur nga Holanda ka sende të dyshimta u organizua identifikimi i tyre dhe i pritësit të kësaj pakoje. Sipas kërkesës për gjykim ka rezultuar se shtetasi Agim Shëngjoni prej disa vitesh lëvizte pa dokumente të rregullta në vende të ndryshme të Evropës si Itali, Gjermani, Belgjikë dhe në fillim të këtij viti në Holandë. Pas qëndrimit në këtë vend për disa muaj dhe largimit të tij prej shumë vitesh nga Shqipëria kishte vendosur të kthehej në atdhe. Para se të nisej për në Shqipëri, Shëngjoni kishte kontaktuar me disa shtetas rusë në tregun e zi të qytetit të Amersforit të Holandës, nga të cilët kishte blerë tre pistoleta, dy të tipit “Broëing” dhe një “Colt”. Përveç tyre ai kishte blerë edhe një sasi prej 314 fishekësh dhe një thikë. Pasi i kishte blerë këto sende të paligjshme, ishte drejtuar në zyrat postare të agjencisë T.N.T. në qytetin Amersforit të Holandës, ku në një pako kartoni i kishte paketuar tre pistoletat, fishekët, thikën një lap-top dhe disa rroba për t’i fshehur armët. Në mandat pagesën e dërguesit, i pandehuri Shëngjoni kishte përdorur emrin e rremë Artur Deja, ndërsa si pritës kishte dhënë adresën e plotë të shtëpisë së banimit në Elbasan dhe emrin e tij. Dorëzimin e pakos i pandehuri e ka bërë më datë 14 prill të këtij vitit dhe në anën tjetër është nisur me makinën e tij drejt Shqipërisë. Me datë, 16 prill i pandehuri ka arritur në Elbasan pranë familjes, ku në të gjitha pikat e kalimit kufitar ai kishte përdorur metodën se “nuk kam dokumente dhe po kthehem në Shqipëri”. Ndërkaq, kutia postare ka mbërritur në zyrat e doganës së Tiranës më datë 17 prill, por tërheqja nën mbikëqyrjen e prokurorisë është bërë me datë 18 prill, ku edhe u arrestua pritësi. Para togave të zeza ai do të gjykohet për veprën penale të “trafikut të armëve dhe municioneve” dhe në seancën e radhës do të lexohen konkluzionet përfundimtare të akuzës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›