Kokainë të vëllait në burg, pranga 50-vjeçares
TIRANË- Tenton të furnizojë me kokainë vëllanë në burg, arrestohet 50-vjeçarja. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, në ambientet e burgut të Rrogozhinës, kur Luljeta Drugu kishte hyrë për të takuar vëllanë e saj, i cili vuante dënimin. Por gruaja ka përfunduar edhe vetë në qeli, pasi mes sendeve që do t’i jepte vëllait të saj u gjend edhe drogë e llojit kokainë. Burime nga policia thanë se specialistët e seksionit të luftës kundër drogës morën në pyetje 50-vjeçaren dhe më pas i komunikuan asaj masën e arrestit për veprën penale të “shitjes dhe mbajtjes së lëndëve narkotike”. Nga ana e saj, 50-vjeçarja nuk ka pranuar se kishte dijeni për drogën që gjendej mes sendeve që po i çonte të vëllait, duke u mbrojtur me fjalinë: “nuk ka sesi unë të ndihmoj tim vëlla të drogohet”.
Arrestimi
Krejtësisht e qetë, me një çantë në dorë për shkak të shiut të dendur, Luljeta Drugu, 50-vjeçarja nga Tirana është paraqitur në ambientet e burgut të Rrogozhinës. Ajo do të takonte vëllanë e saj, i cili vuante dënimin në këtë burg. Para se t’i afrohej qelisë, Drugu iu nënshtrua kontrollit nga policët e burgut, pasi sipas procedurave duhet të kontrollohej gjithçka që mbante me vete 50-vjeçarja. Kështu, gjatë kontrollit të imtësishëm, policët zbuluan në çantën e gruas një palë tuta, ku në xhep ishin dy mbështjellëse plasmani me një lloj pluhuri të dyshuar si lëndë narkotike. Drugu është shprehur e habitur për konstatimin e lëndës së dyshimtë nga policët gjatë kontrollit, por kjo nuk i ka penguar këta të fundit të lajmërojnë agjentët eantidrogës, pranë policisë së Tiranës. Ndërkohë, veç drogës në çantën që do t’i dërgonte të vëllait të saj u gjet edhe një pasaportë shqiptare si dhe një kartë telefoni.
Hetimi
Antidroga e policisë së Tiranës nisi menjëherë hetimet për të zbuluar destinacionin e drogës. “Nuk është zbardhur ende nëse droga që iu gjet Luljeta Drugut teksa futej në burgun e Rrogozhinës ishte për vëllanë e saj apo, për ndonjë shok të qelisë së këtij të fundit, i cili mund të kishte bërë porosinë” -thanë për “Shekullin” burimet nga policia. Ndërkohë, të njëjtat burime shtuan se 50-vjeçarja e ka mohuar faktin se ka pasur dijeni për drogën që ndodhej në xhepat e tutave që ajo do t’ia çonte vëllait të saj, duke u shprehur se nuk mund të pranonte të drogonte vëllanë e saj. Deklarimin e Drugut, policia nuk e ka marrë në konsideratë duke kryer arrestimin e saj. Burime nga policia thanë se kanë filluar hetimet për të zbuluar mënyrën e sigurimit të kokainës nga 50-vjeçarja dhe porositësin e saj. Nga ana tjetër, edhe vëllai i saj i cili vuan dënimin në burgun e Rrogozhinës nuk ka pranuar se kishte porositur drogë apo të priste prej së motrës lëndën narkotike. Megjithatë, do të jenë hetimet e mëtejshme ato që do të zbulojnë destinacionin e kokainës së gjetur në mjedisin e kontrollit në burgun e Rrogozhinës. Ndaj 50-vjeçares Drugu është ngritur akuza e futjes në qeli të sendeve të paligjshme dhe mbajtje të lëndëve narkotike.