Uji nuk e “lë” Shkodrën, reshje të shumta gjatë natës
Kjo ka bërë që në disa zona të ketë sërish përmbytje. Situata më problematike paraqitet në lagjet periferike të Shkodrës dhe veçanërisht në lagjen Xhabiaj, në hyrje të qytetit, pasi ujërat e liqenit dhe lumit Bunë, që tashmë janë bërë një, kanë vërshuar në rrugë duke vështirësuar dhe qarkullimin e mjeteve në këtë zonë. Në Velipojë dhe Bushat, niveli u ujit është rritur sërish. Nga informacionet rezulton se ka një rënie të ndjeshme të nivelit të ujit në lumin Drin. Gjatë natës ka vazhduar shpërndarja e ndihmave dhe evakuimet në zonat e përmbytura në ultësirën e Shkodrës. Shtabi i emergjencës dhe disa ministra të kabinetit qeveritar janë duke ndjekur nga afër situatën e krijuar prej 10 ditësh në këtë rajon. Prej nisjes së operacionit të evakuimit në 3 janar nga zonat e përmbytura në Shkodër, raportohet se deri tani janë evakuar 4780 persona. Numri më i madh i të evakuarve është nga fshatrat e komunës së Dajçit të Bregut të Bunës prej 2000 vetësh, që rezulton edhe zona më e goditur nga përmbytjet, komuna e Bërdicës dhe ajo e Gurit të Zi me respektivisht 810 dhe 730 persona, e qytetit të Shkodrës me 586, etj. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare sipërfaqje e tokës së përmbytur llogaritet në 10.400 ha.Sipërfaqet më të përmbytura rezultojnë në komunën e Dajçit të Bregut të Bunës dhe atë të Velipojës me nga 2000 ha secila, komuna e Bërdicës me 1900 ha, ajo e Bushatit me 1700 ha, e Anës së Malit me 1200 ha, bashkia e Shkodrës me 250 ha, etj. Numri i shtëpive të përmbytura ka arritur deri tani në 2489. Numri më i madh i tyre shënohet në komunën e Dajçit të Bregut të Bunës me 1187 shtepi, në komunën e Bërdicës 368, në Gurin e Zi 200 banesa, Anën e Malit 180 banesa, në Bushat 150 banesa, etj.