Ukaj fiton qiriun e Naimit

Poeti kosovar Ndue Ukaj është shpërblyer me çmimin “Qiriu i Naimit”, për poezinë më të mirë të lexuar në orën letrare në kuadër Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë ‘Ditët e Naimit’, që u mbajt ditë më parë në Tetovë.
Ky aktivitet, i cili u mbajt prej datës 20 deri më 23 tetor në Tetovë, shënoi edicionin e pesëmbëdhjetë. Në të morën pjesë mbi tridhjetë poetë anekënd botës.
Laureat i këtij edicioni jubilar ishte poeti i njohur amerikan Craig Czury, autor i mbi 20 vëllimeve poetike dhe fitues i çmimeve të ndryshme letrare.
Përpos tyre, me çmime u shpërblyen edhe poetët Giuseppe Napolitano nga Italia, Diti Ronen nga Izraeli, Gustavo Vega nga Spanja dhe Richard Burns nga Britania e Madhe.