E Diel, 1 Nëntor 2026

Mehmeti, pranë Palermos

Agon Mehmeti duket se është më afër se kurrë për t’u transferuar në Palermo. Sulmuesi kosovar ka refuzuar sërish ta vazhdojë kontratën me Malmon, pasi që së fundmi mediat suedeze kanë filluar të shkruajnë për një riaktivizim të klubit italian, i cili e donte 21 vjeçarin edhe gjatë verës që shkoi.

“Nuk them asgjë në këtë moment. I takon presidentit të Palermos që ta thotë fjalën e fundit”, është shprehur përfaqësuesi U-21 i Suedisë për fotbollskanalen.se.

Ndërkohë, për këtë çështje ka folur edhe drejtori sportiv i klubit sicilian Luca Cattani, i cili ka konfirmuar se diçka do të lëvizë në këtë aspekt në ditët e ardhshme

“Ne nuk komentojmë për lojtarët për të cilët nuk qartësohen 100 për qind gjërat. Do të presim se çka do të thotë presidenti Zamparini për këtë rast. Ndoshta lojtari di diçka më shumë”, deklaroi zyrtari i lartë i Palermos.

“Gjithçka do të dihet pasi të përfundojë kampionati suedez. Do të flasim me lojtarin dhe do të merrni më shumë informata. Nuk flas më shumë për këtë punë”, ka theksuar ai.

Palermo ishte ‘shukatur’ që nga vera, kur presidenti Maurizio Zamparini tha se po mendon ta transferojë Mehmetin në Itali gjatë janarit. Ky distancim i Palermos kishte bërë që Mehmeti të mendonte për vazhdimin e kontratës me Malmon, por së fundmi prapë kanë ndryshuar gjërat. Mehmetit i skadon kontrata me klubin suedez muajin e ardhshëm dhe ai do të jetë i lirë të vendosë vetë për të ardhmen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›