E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ukraina bisedime të reja me Rusinë – Zelensky kërkon takim me Putin për paqe të qëndrueshme

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se Kievi i ka bërë një propozim zyrtar Moskës për të zhvilluar një raund të ri bisedimesh javën e ardhshme. Negociatat mes dy vendeve ishin ndërprerë në fillim të qershorit, pas mungesës së përparimit në takimet e mëparshme.

Dy raundet që u zhvilluan në Stamboll nuk çuan në një armëpushim, por përfunduan me marrëveshje për shkëmbim të të burgosurve dhe kthim të trupave të ushtarëve të rënë.

Sipas Zelenskyt, Sekretari i Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov, ka paraqitur propozimin për takim të ri me përfaqësuesit rusë. Presidenti ukrainas theksoi se ritmi i negociatave duhet të rritet për të arritur një zgjidhje reale. Ai gjithashtu ritheksoi gatishmërinë për një takim të drejtpërdrejtë me presidentin rus Vladimir Putin. Sipas tij, vetëm një takim në nivel udhëheqësish mund të sjellë një paqe të qëndrueshme.

Ndërkohë, gjatë bisedimeve të fundit, Rusia paraqiti një listë kërkesash të ashpra, përfshirë dorëzimin e territoreve dhe ndalimin e mbështetjes ushtarake nga Perëndimi. Ukraina i hodhi poshtë këto kushte, duke i cilësuar të papranueshme. Zyrtarët ukrainas ngritën dyshime për seriozitetin e palës ruse nëse nuk bëhen kompromis.

Nga ana tjetër, Kremlini ka shprehur gatishmërinë për të vijuar negociatat, duke reaguar ndaj afatit 50-ditor të vendosur nga Donald Trump për arritjen e një marrëveshjeje. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë premtuar ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, të mbështetur nga aleatët e NATO-s, ndërsa Rusia vazhdon sulmet ajrore ndaj qyteteve ukrainase.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›