E Martë, 3 Nëntor 2026

Darka në Athinë, Meta: Shqipëria s’mund të ishte e munguara e madhe. Rama, politikë të jashtme personale

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me mungesën e Shqipërisë darkën informale të zhvilluar në Athinë mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Në një postim në Facebook, Meta shkruan se Shqipëria nuk mund të ishte “e munguara e madhe”, teksa akuzon kryeministrin Edi Rama për “politikë të jashtme personale”.

“Partia e Lirisë është kundër qëndrimit të kryeministrit Rama, që vazhdon të zbatojë një politikë të jashtme personale, kundër interesave të shqiptarëve dhe të ardhmes perëndimore të Shqipërisë. Shqipëria nuk mund të ishte e munguara e madhe në takimin e prespektivës europiane të rajonit tonë dhe të linte vendin bosh në mesin e vendeve me të cilat bashkëndajmë vlerat europiane”, shkruan Meta.

 Ai përshëndet deklaratën e miratuar, teksa thotë se i hap rrugën integrimit në BE të Ballkanit perëndimor.

“Përshëndes deklaratën e miratuar nga 11 liderët e Europës së Bashkuar dhe Ballkanit Perëndimor në 20 vjetorin e Samitit të Selanikut, i cili hapi rrugën e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor.  Ne jemi të bindur, që kjo është rruga e vetme për këtë rajon të rëndësishëm, sidomos për kushtet gjeopolitike sot në botë.  Përshëndes pjesëmarrjen e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe atë të merituar të Republikës së Kosovës, duke menduar gjithmonë, se politika e integrimit europian është një politikë bashkimi dhe jo përjashtimi, një politikë që përshtatet me filozofinë e Procesit të Berlinit duke përjashtuar nismat individuale që krijojnë tension”, thekson Meta. 

Ai shpreh angazhimin e partisë që drejton për të punuiar në drejtim të anëtarësimit të vendit në BE, por shton se rruga do të ishte më e lehtë nëse fondet e unionit për rajonin tonë do të fokusoheshin për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe luftën ndaj korrupsionit.

“Partia e Lirisë dhe opozita shqiptare mbetet e angazhuar që rruga europiane e Shqipërisë të mos thyhet nga elementë dhe situata të interesave personale, ndaj do të vijojmë pa kompromis rrugën tonë për të realizuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.  Kjo rrugë do të behej më e lehtë nëse dhe investimi i Bashkimit Europian dhe i perëndimit për rajonin tonë, do të fokusohej me prioritet për funksionimin e shtetit të së drejtës, luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe luftën ndaj pushteteve autokratike.

Është jetike për ne dhe të gjithë Europën që në situatën sot kërcënuese gjeopolitike, siç ka treguar agresioni rus ndaj Ukrainës, të jemi të bashkuar rreth vlerave dhe parimeve europiane.  Ne përkrahim vendosmërinë e deklaratës së djeshme për Ukrainën dhe Moldavinë për të qenë pjesë e proceseve integruese në familjen europiane. 20 vjet me parë Shqipëria ishte përpara Malit të Zi dhe Serbisë në procesin e integrimit europian, ndërsa ka shënuar një vonesë historike në dekadën e fundit vetëm për shkak të minimit të reformave të besueshme për qëllim të kapjes së shtetit në çdo qelizë nga Kryeministri aktual.  Ndaj beteja për çkapjen e shtetit dhe institucioneve të pavarura mbetet vendimtare për të ardhmen europiane të vendit”, përfundon Meta postimin e tij.

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian u takuan mbrëmjen e djeshme (21 gusht) në Athinë në një darkë informale të organizuar nga Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.  Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe anëtarësimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, ishin temat kryesore të darkës. Në fund të takimit u miratua edhe një deklaratë e përbashkët e cila bënë thirrje për ri-energjizimin dhe ri-fokusimin në procesin e zgjerimit për anëtarësim në BE; mbështetje të palëkundur për pavarësinë e Ukrainës; ndëshkimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe thirrjen për përgjegjësi ndaj kryerësve të krimeve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›