Gjykata e Lartë, familja Durda nuk pranon ndjesën e Mediut
Familjarët e Gërdecit nuk e falin ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pavarësisht ndjesës së kërkuar prej tij. Në seancën e pajtimit të zhvilluar në Gjykatën e Lartë, babai i fëmijës së dëmtuar nga tragjedia e Gërdecit, Ferizan Durda, nuk ka pranuar ndjesën e ministrit dhe as pranimin e përgjegjësisë morale për ngjarjen e ndodhur nga ana e të paditurit, duke këmbëngulur që këtij të fundit t’i hiqet imuniteti. Pas katër orë seance me dyer të mbyllura, Kolegji Civil vendosi të bashkojë dy paditë e depozituara nga Rogers Durda e Alketa Hazizaj dhe vendosi që relatimin e padisë së vajzës së plagosur ta shqyrtojë më 15 shkurt. Seanca e parë nuk e arriti pajtimin mes palëve dhe pritet që edhe në seancën e datës 15 shkurt të vijohet me të njëjtën procedurë, pajtimin mes palës së paditur me atë paditëse, përkatësisht Fatmir Mediut me vajzën e plagosur Alketa Hazizaj. Ish-ministri i Mbrojtjes, aktualisht ministër i Mjedisit është paraqitur në gjykatë në orarin e caktuar dhe për gati 4 orë ka vijuar përballjen në sallën e gjyqit me paditësin e tij, 11-vjeçarin Rogers Durda, ku akuzohet nga pala paditëse për plagosje të rëndë nga pakujdesia. Burime nga brenda seancës së pajtimit bëjnë të ditur se gjatë fjalës së tij, ish-ministri i Mbrojtjes ka pohuar se ndjen përgjegjësi morale për atë që ka ndodhur dhe kërkoi ndjesë, duke kërkuar edhe pajtim, por i ati i të miturit ka refuzuar duke këmbëngulur që gjykata t’i heqë imunitetin. Por, ndërsa paditësja tjetër Alketa Hazizaj, edhe kjo e plagosur në tragjedinë e Gërdecit priste të hynte në seancën tjetër kundër Mediut, Gjykata e Lartë ka bashkuar të dyja çështjet, duke argumentuar se në këtë mënyrë përfitohet ekonomi gjyqësore dhe nuk shpenzohet kohë. Ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, humbi në seancën e pajtimit me të miturin, gjykata e shtyu seancën e pajtimit me paditësen tjetër për në 15 shkurt, për t’i dhënë kohë edhe relatorit të çështjes së Rogers Durdës të njihet dhe me aktet e dosjes që u bashkëngjit me të. Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Lartë, duke qenë se këto çështje qëndrojnë në të njëjtën gjendje dhe shkallë përpara të njëjtës gjykatë, si dhe për faktin se të dyja këto çështje janë kundër të njëjtit person, për të njëjtin fakt penal të pretenduar dhe meqenëse për shkaqet e mësipërme nuk dëmtohet shpejtësia e zgjidhjes së tyre, në respektim të nenit 92/1/a të Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi të bashkojë çështjet e mësipërme. Aktet e çështjes me nr. 4 dërgohen për t’u bashkuar me aktet e çështjes nr.5, dt.18.11.2009. Ndërkohë, në fund të seancës, i pyetur nga gazetarët rreth padisë, z.Mediu nuk ka preferuar të japë asnjë koment duke u larguar i shoqëruar nga truprojat e tij.
Ish-ministri i Mbrojtjes ka pohuar se ndjen përgjegjësi morale për atë që ka ndodhur dhe kërkoi ndjesë, duke kërkuar edhe pajtim, por i ati i të miturit ka refuzuar duke këmbëngulur që gjykata t’i heqë imunitetin