E Shtunë, 31 Tetor 2026

Han, optimist: “Fitojmë me Hungarinë”

Trajneri i Kombëtares: “Avantazhi ynë, fusha dhe tifozët tanë”. Shqipërisë do t’i mungojë portieri Arian Beqaj dhe mbrojtësi Lila

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, u bashkua me korin e optimistëve dhe u shpreh i bindur mbi mundësinë e marrjes së pikëve të plota të shtunën kundër Hungarisë, gjatë konferencës së vetme të tij për shtyp në rezidencën e kuqezinjve në hotel “Dyrrah”, në Durrës.

MALTA
Natyrshëm, që Han do t’i rikthehej çështjes së Maltës, ku Shqipëria zhvilloi ndaj ishulloreve ndeshjen më të zbehtë të saj, por krijoi edhe një klimë të “ftohtë” në ambientin futbollistik shqiptar. “Unë besoj se të gjithë e kemi të qartë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Takimi i fundit (kundër Maltës, 0-0) nuk shkoi ashtu siç kishim shpresuar ne të gjithë. Për këtë kam gjetur edhe arsyet e mia. Kjo nuk ka të bëjë shumë me lojtarët që kanë luajtur. Ishte një ndeshje kur shumë nga lojtarët tanë ishin në fillimet e sezonit të tyre dhe në fazën përgatitore. Befasuese ishte sidomos pjesa e dytë në Maltë. Më tepër kishte të bënte me gjendjen fizike të lojtarëve tanë. Nuk e konsideroj se duhet të jemi të kënaqur se morëm një pikë. Përfundimisht, e konsideroj si diçka të parealizuar. Kemi lënë dy pikë me Maltën”, - tha Hani. Kundër Maltës, Shqipëria realizoi barazimin e tretë në pesë ndeshjet e para, por pika e marrë në La Valeta për holandezin u përkthye si dy pikë të humbura ndaj një kundërshtari që jo vetëm kishim realizuar fitoren e vetme në këto eliminatore (3-0, në Tiranë), por dhe skuadrës më të dobët të grupit tonë.

HUNGARIA

Trajneri Han po zhvillon qysh prej ditës së diel seanca stërvitore me lojtarët e thirrur për dy ndeshjet e radhës. Tashmë, si një njohës relativisht më i mirë i ambientit dhe mentalitetit kuqezi, ish-nënkampioni i dyfishtë i Botës me Holandën u shpreh se ai e dallon frymën pozitive që mbizotëron në qendrën e grumbullimit të përfaqësueses. “Kam një ndjenjë shumë të mirë se si është gjendja e lojtarëve tani. E ndiej se ekziston një frymë e mirë te lojtarët. Edhe në Hungari ne luajtëm pjesën e parë më mirë. Tani në ndeshjen e kthimit, ne dëshirojmë që ndaj hungarezëve të bëjmë diçka. Për fatin e keq, ne kemi dy lojtarë të dëmtuar (portierin) Beqaj dhe (mbrojtësin) Lila, të gjithë të tjerët gëzojnë një formë të mirë fizike. Jam i sigurt se do të marrim rezultat pozitiv”, - theksoi i bindur Hani. Në fakt, është dalluar një linjë e qartë e trajnerit Han për të mos rrezikuar, duke luajtur me një theks mbrojtës. E njëjta gjë u pa edhe në ndeshjen kundër Hungarisë e Maltës, ku holandezi hodhi një formacion me një sulmues të deklaruar, kur mund të luhej me dy të tillë. Han nuk ka guxuar për të mos rrezikuar humbjen. “Kjo nuk ka të bëjë me patjen e një sulmuesi. Në gjithë ndeshjen kundër Hungarisë e Maltës kemi bërë një lojë sulmuese. Skuadra ka qenë e orientuar përpara. E kam orientuar përpara skuadrën. Ju mund ta shikoni (Klodian) Duron si një mesfushor, por unë e shoh atë më tepër si një sulmues”.

STADIUMI
Federata Shqiptare e Futbollit dhe Drejtoria e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” u përfshinë në polemika të mëdha në lidhje me vendimin e drejtorit të stadiumit për të mos lejuar që përfaqësuesja të zhvillonte të enjten në mbrëmje një stërvitje njohëse me karakter taktik në impiantin ndërkombëtar, ku do të zhvillohet edhe ndeshja ditën e shtunë. “Ne kishim programuar sot (të enjten në mbrëmje) një stërvitje në stadiumin kombëtar, por u informova se nuk na u dha leja për ta bërë atë nga një “idiot”. Unë kam një pyetje për këtë njeri (drejtorin e stadiumit, Perikli Dhales). Si është e mundur, që ky zotëri nuk e lejon ekipin kombëtar të stërvitet, kur përfaqësueses së vendit të tij duhet t’i krijohen të gjitha kushtet, që edhe ajo të tregojë rezultatet e saj. Me rezultatin e Shqipërisë, unë besoj se do të jenë të kënaqur jo vetëm futbollistët, stafi teknik e tifozët, por dhe ai vetë. Nëse njerëz të caktuar kanë mendime të tjera, atëherë ketë duhet ta thonë. Por, më duhet të theksoj se këta janë njerëz që nuk janë të interesuar që Shqipëria të marrë një rezultat të mirë. Për mua, këta njerëz janë kundër nesh dhe ekipit kombëtar. Për mua, kjo është një gjë e pakuptueshme”, - tha Arian Beqaj.

E ARDHMJA

Holandezi Ari Han, i cili më parë ka drejtuar edhe Kinën e Kamerunin, i pyetur nga gazetarët, nuk e konsideroi rezultatin e ndeshjes kundër Hungarisë si përcaktues lidhur me të ardhmen e tij në krye të Shqipërisë. “Për mua ka rëndësi më shumë se si reagon skuadra, të fitojë ajo dhe jo e ardhmja ime. Ne humbëm dy pikë në Maltë dhe unë mendoj se këto pikë ne duhet t’i marrim kundër Hungarisë. Kjo është detyra jonë. Të shtunën duhet të jemi 100 për qind të përqendruar, ndoshta të japim edhe pak më shumë për të fituar ndeshjen. Hungaria do ta ketë të vështirë, pavarësisht se pret shumë nga skuadra e saj. Avantazhi ynë është se luajmë në fushën tonë, përballë tifozëve tanë, të cilët do t’i mbështesin patjetër lojtarët tanë. Pra, e ardhmja ime nuk varet nga kjo ndeshje”.

GOLAT

Edhe pse për herë të parë në harkun e pesë ndeshjeve zyrtare kemi një golaverazh pozitiv, me tre gola të shënuar (3-0 kundër Maltës) e dy të pësuar (2-0 nga Hungaria), problemi i mosshënimit të golave është evident në përfaqësuesen shqiptare. Han tha: “Edhe në të kaluarën kemi shënuar pak gola. Ky nuk është vetëm problemi i Shqipërisë, por edhe i skuadrave të tjera. Së pari, ka shumë rëndësi loja e mirë në mbrojtje. Këtë e pamë edhe me Hungarinë, kur në dy momente që humbëm vëmendjen e pësuam. Ne duhet të ndërtojmë një mbrojtje të mirorganizuar. Ne nuk hyjmë te skuadrat e nivelit të lartë, kështu që parësore për ne është të mos pësojmë. Thuajse të gjithë lojtarët tanë luajnë në skuadra të vogla, por që luajnë futboll shumë sulmues. Ne duhet të luajmë fort e me sulm ballëgjerë, sepse pa gola nuk mund të fitojmë”.

SKEMA

Nga ajo që është parë në seancat stërvitore duket se Lorik Cana do të luajë në zemër të mbrojtjes dhe jo në zonën e mesfushës shkatërruese. Han tha: “Lorik Cana është një lojtar shumë i mirë në mesfushë. Kundër Portugalisë ka bërë një superndeshje. Cana e Lala mund të luajnë shumë mirë së bashku. Kam biseduar me të për rolin që do të kryejë në ndeshjen kundër Hungarisë. Si Cana dhe Lala kanë premisat se si luhet futboll. Për momentin, mendimi im është se Cana do të luajë në mesfushë. Gilman Lika, nëse do të luajë, do të jetë një ndihmë e mirë në krahun e majtë. Në Maltë tregoi se është një lojtar i vlefshëm”. Në ndeshjet kundër Hungarisë e Maltës, Shqipëria u duk e shthurur taktikisht në pjesën e dytë. Por a ka marrë masa trajneri Han për ndeshjen e dytë kundër Hungarisë?. “Nuk mendoj se skuadra është shthurur faktikisht, pavarësisht se Hungaria në pjesën e dytë arriti të shënojë një gol, që ndikoi edhe në pësimin e të dytit. Në Maltë luajtëm shumë përpara, por nuk mund ta gjykoj skuadrën me këtë ndeshje. Sigurisht, që Shqipëria ka një problem të vogël reagimi kur ndodhet në disavantazh. Në ndeshjen kundër Suedisë e Portugalisë, ne kemi luajtur shumë mirë faktikisht. Gjendja fizike e skuadrës, ajo që ka rëndësi më shumë, është e mirë”, - theksoi Han.

SFIDË “ALL ORANGE”

Ndeshja midis Shqipërisë e Hungarisë, përveçse është edhe një sfidë midis dy trajnerëve holandezë (Ari Hanit e Ervin Koemanit), ka luksin të gjykohet edhe nga një gjyqtar holandez, Bjorn Kuipers. Takimi është “all orange”, i “gjithi portokalli”. I pyetur për këtë detaj, Han e ka marrë me të qeshur. “Si unë dhe Koeman do të kërkojmë nga ekipet tona fitoren. Unë do të bëj lojën time, ai të tijën. Ne nuk kemi luajtur kurrë kundër njëri-tjetrit. Në lidhje me gjyqtarin, mund të them se e kam parë disa herë në ndeshjet e gjykuara prej tij. E njoh personalisht gjyqtarin dhe e vlerësoj një burrë të mirë. Por kjo nuk do të thotë aspak se ai do të mbajë anën time dhe të Shqipërisë”.

27 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›