Ukrainë, Timoshenko thirrje opozitës për bashkim
Julia Timoshenko, kandidatja e humbur në zgjedhjet presidenciale të shkurtit e cila nuk e pranon disfatën, u bëri thirrje ditën e marte forcave politike që e kundërshtojnë presidentin e ri Viktor Janukoviç të bashkohen kundër politikës antiukrainase të këtij të fundit.
"Ju kërkoj të premtoni sot se do të kundërshtoni bashkarisht gjithçka që është antiukrainase", u shpreh ajo gjatë ceremonisë së përkujtimit në Kiev të 196-vjetorit të lindjes së poetit dhe heroit kombëtar Taras Shevçenko.
"Kërkoj që të miratohet një rezolutë për një bashkim të forcave të ndershme politike,"- tha Timoshenko përpara rreth 2 000 përkrahësve të saj.
Qeveria e Timoshenkos u shpërbë javën e kaluar me iniciativën e kampit të Janukoviçit, i akuzuar nga kundërshtarët e tij si prorus.
Partia e rajoneve e Janukoviçit arriti madje të kalojë në leximin e dytë një projektligj që synon thjeshtimin e procedurës së formimit të një koalicioni të ri qeveritar për emërimin e një kabineti të ri.
Dyqind e tridhjetë e pesë deputetë, duheshin të paktën 226, votuan në favor të kësaj iniciative e kritikuar në kundërshtim me Kushtetutën nga kampi i Timoshenkos dhe nga shumë deputetë të pavarur.