Ukrainë, shtyhet sërish seanca për Timoshenkon

Gjykata e Lartë në Ukrainë ka shtyrë, për të tretën herë më radhë, dëgjimin e ankesës së ish-kryeministres Julia Timoshenko rreth dënimit të saj me burg.
Gjykata në Kiev pranoi kërkesën e prokurorisë për shtyrjen e seancës në 16 gusht duke cituar nevojën për një vlerësim të ri mbi gjendjen shëndetësore të së akuzuares.
Timoshenko po trajtohet në spital për shkak të problemeve shëndetësore dhe për këtë arsye nuk mori pjesë në seancën e fundit.
Ajo po kryen tashmë dënimin me burg prej shtatë vitesh për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare lidhur me marrëveshjen e dikurshme për energji me një kompani ruse në kohën kur ishte kryeministre.
Ajo akuzohet gjithashtu edhe për shmangie nga tatimet.
Mbështetësit e Timoshenkos thonë se rastet kundër saj janë politikisht të motivuara ndërsa BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë dënuar burgimin e saj.