Turizmi në rajon, Greqia dhe Kroacia pesimistë për rezultatet e sivjetme
Me gjithë se vera po afron, turizmi në Ballkan këtë vit duket se do ketë një mal me telashe. Dy vendet kryesore turistike në Ballkan Greqia dhe Kroacia po përballen me vështirësitë e para në këtë sektor vital për ekonomitë e tyre. Greqia ka pranuar e para se turizmi i saj, është goditur rëndë nga kriza financiare globale. Ndërkohë Kroacia, që për vitet e fundit ka qenë destinacioni më i preferuar veçanërisht për europiano-veriorët, është përfshirë nga kriminaliteti i madh dhe korrupsioni. Në Greqi, në ishullin e Kretës, aty ku çdo njeri merret vetëm me turizëm, perspektiva duket e zymtë. Pronarët e hoteleve, restoranteve dhe dyqaneve të suvenirëve, thonë se këtë vit presin që turizmi të nisë më vonë, dhe numri i turistëve parashikohet të jetë 10 për qind më pak se vjet. Ata kanë frikë se për shkak të krizës edhe turistët që do të vijnë do përpiqen të shpenzojnë më pak. Nga 15 milionë turistë që vizitojnë Greqinë çdo vit, 3 milionë shkojnë në Kretë. Nga turizmi fitohet 18 për qind e prodhimit të brendshëm, por treguesit këtë vit për gjithë turizmin në BE veçanërisht në Greqi janë të zymtë. Ndërkohë në Kroaci, duket se mafia po sundon vendin. Aty janë vrarë gazetarë, biznesmenë dhe krimet janë ende të pazbardhura. Veç makinave bombë që u vihen figurave të njohura, korrupsioni është një tjetër problem aty. Në një njoftim të fundit, ministria e Jashtme Britanike u kërkon qytetarëve të vet që këtë verë të jenë të kujdesshëm ndaj krimit dhe vrasjeve në Kroaci.
Komisioni i Ekonomisë miraton ndryshimet në taksat vendore
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje vetëm me votat e maxhorancës ndryshimet në projektligjin "Për sistemin e taksave vendore". Maxhoranca e votoi e vetme projektligjin pasi opozita e bojkotoi komisionin duke kundërshtuar hapur ligjin që ndërhyn në mënyrë të drejtë për drejtë në pavarësinë e pushtetit vendor. Projektligji parashikon vendosjen e kufijve të pushtetit vendor për taksat ndaj biznesit të vogël. Në bazë të projektit Bashkitë dhe Komunat nuk mund të ulin me shumë se 30 për qind taksat ndaj biznesit, por as t'i rritin ato më shumë se 10 për qind. Ligji i mëparshëm parashikonte që pushteti vendor mund të ulte deri në 30 për qind taksat ndaj biznesit. Po kështu, pushteti vendor kishte të drejtë t'i rriste taksat ndaj këtij biznesi deri në 30 për qind. Gjithashtu projektligji parashikon edhe krijimin e një Task-Force të veçantë, i cili do të shqyrtojë me përparësi çdo ankesë të biznesit të vogël. Biznesi i vogël është konsideruar sektori më i fuqishëm i ekonomisë. Pavarësisht se kontributi i tij në buxhetin publik është pakrahasimisht më i vogël se biznesi i madh, biznesi i vogël është gjeneratori i punësimi në vend. Në këtë biznes janë të punësuar rreth 200 mijë persona. Taksa e biznesit të vogël u transferuan tërësisht një vit më parë, në përputhje me konceptin e decentralizimit, në Bashki e Komuna.
22 Prill 2009