Ulen investimet dhe shpenzimet, paratë shkojnë në banka në sasi të mëdha
Sasia e parave që shqiptarët kanë depozituar në banka është në përpjestim të zhdrejtë në shkallë të madhe me rritjen ekonomike të vendit dhe paratë që investohen në ekonomi. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha dje në parlament se ky është një handikap real dhe është e vërtetë që gjatë vitit që shkoi kjo gjë është thelluar në shifra të mëdha si për depozitat në valutë, ashtu edhe për depozitat në lekë. Kjo do të thotë se ekonomia shqiptare është duke përjetuar një kahje të lëvizjes së parasë nga tregu drejt bankave, gjë që është shumë e dëmshme për një vend si Shqipëria, i cili ka nevojë për investime dhe për rritje të mëdha të shpenzimeve. Guvernatori nuk i bëri të ditura arsyet e kësaj kahjeje të thekshme të lëvizjes së parave drejt bankave. Konkretisht, vlera e depozitave për vitin që shkoi ka pësuar një prej rreth 190 përqindësh në krahasim me vitin e kaluar. Domethënë, rritja e vjetshme ka qenë 190 për qind më e madhe sesa rritja e vitit 2006 ndaj vitit 2005. Sasia e kredive në krahasim me depozitat është shumë e ulët dhe madje me disa herë më e ulët. Rritja e normës së interesit të parasë prej bankës qendrore ka ndikuar në këtë kahje, por më së shumti, rritja e madhe e parave që depozitohen nga biznesi dhe nga qytetarët e tjerë ka ardhur për shkak se interesi për të investuar është mjaft i ulët. Duke qenë se rritja ekonomike e vendit është në kufirin gjashtë për qind dhe fitimet e biznesit apo kursimet nga pagat dhe pensionet nuk mund të justifikojnë këtë rritje të depozitave, atëherë është e sigurt se biznesi ka zgjedhur të ulë investimet dhe të ulë edhe shpenzimet e tjera. Të trembur nga rritja e çmimeve dhe e inflacionit, drejtuesit e bankës qendrore kanë vendosur të rrisin normën e interesit të depozitave tri herë rresht gjatë vitit të shkuar. Gjithashtu, grumbullimi i pjesës më të madhe të investimeve qeveritare në fund të vitit, për shkak të pafuqisë për t’i investuar ka bërë që frika për rritje të inflacionit të bëhet më ndikuese në rritjen e normës së interesit. Pas këtyre zhvillimeve ka ardhur edhe kriza e madhe e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, e cila e ka rritur frikën e inflacionit dhe ka bërë që norma e interesit të parasë të rritet prej bankës qendrore. Që të gjithë këta elementë që kanë ndikuar, thonë specialistë të bankave, nuk mund të çojnë në këtë rritje të depozitave në shkallë kaq të madhe. Ndikim të madh ka patur edhe klima e biznesit, pasi ky i fundit, edhe pas dy-tri vitesh me ndryshime në ligjet fiskale dhe të reformave në këtë lëmë, ndihet shumë i pasigurtë të investojë dhe të rrisë shpenzimet. Zgjedhja është banka, pasi edhe norma është rritur. E njëjta gjë ndodh me paratë e emigrantëve. Bizneset në tërësi zgjedhin të ulin shpenzimet dhe të depozitojnë para në banka dhe kjo është një prej arsyeve të rënies së madhe të fuqisë blerëse.