E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet çmimi i kasave fiskale

Zëdhënësja e kryeministrit, Erla Mëhilli, u shpreh se vendimi për kasat fiskale parashikon  uljen me rreth 60 për qind të pagesës vjetore që paguan çdo biznes në Shqipëri për mirëmbajtjen e pajisjes fiskale.

“Nga 9400 lekë që është paguar deri më tani, pagesa vjetore  e mirëmbajtjes bëhet vetëm 4000 lekë. Pra, e theksoj, do të jetë më pak sesa gjysma e pagesës që bëhej më parë. Gjithashtu, me këtë vendim të ri, biznesit do t’i kërkohet certifikimi i funksionimit të kasës fiskale vetëm një herë në vit dhe jo çdo 6 muaj, siç kërkohej deri tani. Ky vendim u mor për t’i  ardhur në ndihmë biznesit, duke ulur kostot dhe lehtësuar procedurat administrative, me të cilën biznesi përballet”, theksoi Mëhilli.

Ndërkohë, fondi prej 50 milionë lekësh për bizneset artizanale, synon të krijojë një burim të ri financimi direkt të veprimtarive artizanale në të katër anët e vendit, por edhe zbutjen e interesave të kredive. “Qeveria u bën thirrje me këtë rast, të gjitha qeverive vendore që në interes të punësimit të qytetarëve të bashkive dhe komunave ku ata qeverisin, të krijojnë dhe ata, brenda mundësive që kanë, fonde të tillë dhe të parashikojnë të gjitha lehtësirat e mundshme logjistike për këtë degë të rëndësishme për punësimin e qytetarëve. Gjithashtu, krijimi i këtij Fondi i shërben jo vetëm rigjallërimit të këtij sektori, por edhe ruajtjes së traditës së prodhimeve artizanale shqiptare”, vijoi ajo. /Start/

                                                                                             2012-09-11 14:28
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›