Ulet çmimi i arit të zi në vend, shkak forcimi i dollarit

Qytetarët shqiptarë gjatë kësaj jave kanë shpenzuar më pak para për të qarkulluar me automjete. Çmimi i naftës në vendin tonë ka pësuar ulje të paktën me 10 lekë gjatë javës së fundit. Në pikat e shitjes me pakicë të karburanteve vihet re një variacion i çmimeve por ajo që vlen të përmendet është fakti se ka pasur një ulje të çmimit. Megjithatë krahasuar me çmimin e arit të zi në botë, në Shqipëri efektet janë pasqyruar shumë vonë.
Sipas tregtarëve kjo ka ardhur si pasojë e forcimit të dollarit kundrejt lekut pasi nafta shitet dhe blihet me dollar. Por përllogaritjet tregojnë se edhe efekti i dollarit nuk mund ta justifikojë plotësisht diferencën mes rënies së çmimit në tregjet botërore dhe atë që është pasqyruar në tregun vendas. Nëse tregu shqiptar do të reflektonte plotësisht ecurinë e çmimeve në tregjet globale, çmimi i naftës duhet të kishte rënë ne qershor minimalisht me 20 lekë për litër.
Ndërkohë që mesa duket ulja e dollarit ditët e fundit me disa pikë ka dhënë efekte në uljen e çmimit të naftës. Nga ana tjetër tregtarët deklarojnë se, tregtarët bëjnë me dije se barra fiskale është rritur ndjeshëm dhe kjo ka pjesën e vet në rritjen e çmimit. Tradita ka treguar se tregu i naftës në vendin është joelastik ndaj tregut ndërkombëtar kur bie fjala për uljen e çmimeve, ndërsa për rritjen e tyre ecet me të njëjtat ritme.
Ndërkaq, sipas Institutit të Statistikave në Shqipëri, në muajin maj u ulën për herë të parë çmimet e karburanteve pas një kohe të gjatë. Në bazë të këtyre të dhënave gjatë muajit maj çmimi i naftës shënoi një ulje prej 2.1 për qind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 1.8 për qind.