Lejeqëndrimet në Itali, ok “brezit të shpëtimit” të të papunëve

Pas votëbesimit të marrë më 26 e 27 qershor mbërrin më në fund miratimi përfundimtar i reformës së qeverisë mbi tregun e punës. E bashkë me të edhe `brezi i shpëtimit` për të gjithë të huajt që humbasin vendin e punës për shkak të krizës e bashkë me të rrezikojnë të humbasin edhe të drejtën e qëndrimit të rregullt në Itali.
Në fakt, reforma parashikon që kush ka humbur vendin e punës sepse ka dhënë dorëheqje apo e kanë pushuar, mund të regjistrohet në listat e punësimit e të marrë një leje qëndrimi për pritje punësimi për të paktën një vit, e sidoqoftë për gjithë kohëzgjatjen e amortizatorëve socialë si kompensim për papunësinë. Pas përfundimit të kësaj periudhe, do të mund të qëndrojë rregullisht në Itali vetëm ai që do të dëshmojë se ka të ardhura të mjaftueshme për t`u mbajtur, në përllogaritjen e të cilave do të futen edhe të ardhurat e familjarëve të tjerë që bashkëjetojnë me të.
Praktikisht, të papunëve të huaj u jepet më shumë kohë për të kërkuar një tjetër vend pune. Që është edhe një nga kërkesat e paraqitura prej kohësh nga sindikatat dhe shoqatat për të kufizuar disi dëmet e krizës ekonomike, që për të huajt është edhe më e rëndë: veç humbjes së vendit të punës rrezikohet edhe humbja e të drejtës së lejes së qëndrimit dhe hyrja në klandestinitet. E nisur nga i njëjti këndvështrim për tutelimin e të papunëve, qeveria vendosi që këtë vit të mos shpallte dekret fluksesh, duke bllokuar kështu ardhjet e reja të punonjësve nga jashtë Italisë.