E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet niveli i ujit në zonat e përmbytura

Dielli shndrit mbi Shkodër për të dytën ditë në këtë fillim viti kur qielli iu ka dërguar shkodranëve vetëm shi. Niveli i ujit në zonat e përmbytura ka rënë ndjeshëm , dhe ky diell edhe pse nuk është i ngrohtë ka sjellë për këta banorë më shumë shpresë seç do kishte sjellë i gjithë shteti i grumbulluar këto ditë në kryeqendrën e veriut.
E nën këtë diell përmbytja spikat më shumë , tashmë që një pjesë e rrugëve janë plotësisht të lira ndërkohë që disa fshatra mbeten si ishuj në këtë masiv uji ku brigjet e Bunës dallohen me vështirësi.
Komuna Dajç në këtë mëngjes janari është një prej ishujve të rinj të Shkodrës. Pavarësisht rënies së nivelit të ujit vetëm makinat e ushtrisë ose varkat mund të përshkojnë rrugët për të shkuar në komunë. Rruga që të çon në Dajç ende mbetet një nga pikat më të vështira edhe pse ushtria ka vënë sinjalizues në të dy krahët e rrugës, ku si dëshmi të momenteve kritike kanë mbetur të rrëzuara makinat e ushtrisë që kanë tentuar të kalojnë pak ditë më parë
Si çdo mëngjes , në komunën e Dajçit hartohet plani për ndihmën që do t'iu jepet banorëve të zonës, duke filluar nga shpërndarja e ushqimeve deri tek forcimi i argjinaturave.
Me rënien e nivelit të ujit kanë ndryshuar edhe kërkesat e banorëve, tashmë emergjenca për evakuimin e njerëzve apo të bagëtive ka kaluar dhe ka mbetur vetëm shpërndarja e ushqimeve.
Por në fakt tashmë që rreziku dhe frika për jetët njerëzore ka kaluar, historitë e trishta vetëm sa kanë filluar të shfaqen. Banorët i ka kapur meraku për të nesërmen se si do të jetojnë kur uji të largohet , si do të riparojnë shtëpitë që iu është dashur një jetë për t'i ndërtuar.
Ka 14 ditë që e ka braktisur shtëpinë e tij dhe sot ka hyrë së bashku me ne për të kontrolluar gjendjen e saj, gjendje që detyron një burrë të qajë.
Dëmtimi i shtëpive, i ushqimit për bagëtitë është sfida e re e këtyre banorëve që nuk zgjat as një javë e as 10 ditë sa zgjati kjo përmbytje por rehabilitimi i tyre kërkon shumë më tepër kohë, energji e patjetër para.
Megjithatë sa herë të vijë dimri , e qielli të mbushet me re, për këta banorë për të gjithë shqiptarët do të jetë e vështirë të harrohen këto pamje të paktën derisa qeveria të realizojë projekte që ndalojnë përmbytjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›