E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zv/presidentja e PE-së: “Rama, fut PS-në në Kuvend”

Autori i Lajmit: Redaksia
“Partia e opozitës shqiptare të kthehet në Parlament dhe të bashkëpunojë me qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike nga qytetarët shqiptarë, në mënyrë që të mund të garantohen reformat e nevojshme për Shqipërinë që ajo të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”. Një tjetër apel i fortë ndërkombëtar ndaj opozitës që të futet në Kuvend, erdhi dje vetëm pak orë pas përfundimit të raundit të parë të bisedimeve Rama-Berisha në selinë e Presidentit. “Opozita të kthehet në Parlament dhe ajo të bashkëpunojë me Qeverinë”, është thirrja e fortë që u lëshua para disa minutash nga Roberta Angelilli, zëvendëspresidente e Parlamentit Evropian. “Parlamenti Evropian, në rezolutën e miratuar ka njohur progresin e bërë nga Shqipëria dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe administrativ të procesit elektoral që u reflektua dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare”, thekson Angelilli. “Në të njëjtën kohë, selia e Straburgut ka kërkuar që opozita të mbyllë bojkotin e Parlamentit duke e ftuar të kryejë obligimin e përfaqësimit të zgjedhësve të saj në Parlament”, ka theksuar më tej, Roberta Angelilli, duke folur sot mbi krizën politike në Shqipëri. “Bashkohem me deklaratat e formuluara nga z. Joseph Daul, President i Grupit të Partive Popullore Evropiane që ka kujtuar faktin se është shumë e rëndësishme të kihet parasysh që vëzhguesit ndërkombëtarë që morën pjesë në monitorimin e zgjedhjeve të qershorit 2009, nuk evidentuan asnjë parregullsi në procesin zgjedhor”, - ka vijuar më tej, Roberta Angelilli. “Ajo që dua të them”, - vijon Angelilli duke përmbyllur deklaratën e saj, është që partia e opozitës shqiptare të kthehet në Parlament dhe të bashkëpunojë me qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike nga qytetarët shqiptarë, në mënyrë që të mund të garantohen reformat e nevojshme për Shqipërinë që ajo të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Ky lajm është publikuar: 14/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›