E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çmimet e reja të qirasë shtetërore

Qeveria ka ndryshuar kriteret dhe tarifat për marrjen me qira të ambienteve 100% shtetërore. Kur kanë mbetur edhe tre muaj nga fillimi i fushatës elektorale, ambientet, të cilat përdoren kryesisht për tubime politike, do të jepen me çmime të larta, në varësi të zonës ku ndodhen, hapësirës dhe afatit të përdorimit. Kriteret për të marrë me qira një ambient shtetëror janë të përcaktuara qartë në VKM me numër 1712, e cila ka hyrë dje në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Shumat janë të caktuara për metër katrorë dhe në varësi të afateve. Po kështu, për bizneset që kërkojnë të zgjerojnë aktivitetin do të ketë zbritje të qirasë, në rast të planit të investimit dhe numrit të të punësuarve. Tarifa e qirasë nis me 100 lekë dhe përfundon me 1.800 lekë për metër katror. Ambientet mund të shfrytëzohen bashkë me pajisjet deri në 20 vjet. Në VKM-në e miratuar më 24 dhjetor 2008, qeveria ka përcaktuar edhe tarifat e qirasë për përdorimin e Pallatit të Kongreseve, ambient i cili përdoret masivisht në kohën e fushatave elektorale. Efekti financiar nga ky ndryshim i tarifave nuk është dhënë në VKM, por vlerësohet një masë e nevojshme për të shtuar ca para në arkën e shtetit.

Ambientet

Nëpërmjet procedurës së konkurrimit, qeveria mund të japë me qira pasuri 100% shtetërore, që janë ndërtesa, troje të lira, pajisje e linja prodhimi, si dhe ndërmarrje shtetërore, në rastin kur jepen me enfiteozë. Kriteret kryesore të konkurrimit lidhen me vlerën e investimit, punësimit dhe qirasë mujore. Sa i takon qirasë me enfiteozë, kriteri kryesor lidhet me nivelin e investimit, i cili duhet të jetë mbi 200% e vlerës së objektit shtetëror. Përjashtohen nga konkurrimi kërkesat për qira me afat 1 vit dhe shfrytëzim deri në 200 m². Po ashtu, përjashtohen edhe rastet kur janë miratuar marrëveshje minerare, kur kërkohet zgjerimi i aktivitetit ekzistues, si dhe kur kërkohet shtesë sipërfaqe deri në 500 m². Të tjera afate janë përcaktuar në VKM, ur lidhet për shfrytëzimin e ambienteve për qëllime private. Kështu, afati i lidhjes së kontratës për sipërfaqet 200 m², deri në 500 m², do të jetë deri në 10 vjet, ndërsa për sipërfaqet mbi 500 m² do të jetë deri në 20 vjet. Të drejtën për të lidhur kontrata e ka edhe pushteti vendor, në bazë të rregullave të nxjerra nga ministri. Nga ana tjetër, pasuritë e administruara nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, jepen me qira prej saj deri në një vit, pa kufizim për sipërfaqen me tarifa që variojnë deri në 1.8 lekë/m². Të drejtën për të dhënë ambiente me qira e ka Porti i Durrësit, si dhe Ministria e Kulturës. Subjekti privat për të marrë me qira një ambient shtetëror duhet të paraqesë plan-biznesin, certifikatën e regjistrimit, ofertën e qirasë etj.

Tarifat

Vendimi i qeverisë përcakton edhe tarifat dysheme, në varësi të zonave. Kështu, për ndërtesat brenda Unazës së vjetër në Bashkinë Tiranë, tarifa dysheme do të jetë jo më pak 300 lekë/m² në muaj, ndërsa jashtë Unazës dhe brenda vijave kufizuese të Bashkisë Tiranë, do të jetë jo më pak 200 lekë/m² në muaj. Brenda vijave kufizuese të qyteteve kryesore do të jetë jo më pak se 150 lekë/m² në muaj, ndërsa jashtë vijave kufizuese të këtyre qyteteve do të jetë 100 lekë/m² në muaj, përfshi edhe zonat e tjera të vendit. Brenda zonave ku shtrihen pikat doganore qiraja mujore do të jetë të paktën 2.500 lekë/m² në muaj.

Biznesi

Për të nxitur biznesin janë parashikuar disa lehtësi, që do të aplikohen në varësi të numrit të të punësuarve. Do të ketë ulje të qirasë me 10% për numër punonjësish deri në 150 veta dhe ulje me 40% për numër të punësuarish mbi 500 veta. Për investime me vlerë deri në 80 milionë lekë, do të ketë zbritje të qirasë mujore/m² me 10% dhe për vlera investimi mbi 100 milionë lekë do të ketë ulje qiraje dysheme me 30%. Të ardhurat nga qiratë do të shkojnë 70% për buxhetin e shtetit dhe 30% për ndërmarrjen, ose institucionin që e ka dhënë me qira.

Tarifat minimale të vilave dhe të objekteve

Objektet njësia me pajisje pa pajisje bodrum kopsht

Super kategori lekë/m² 1.800 1.500 300 150

Kategori ekstra lekë/m² 700 500 150 150

Kategori I lekë/m² 600 400 150 150

Kategoria II lekë/m² 500 300 150 150

Kategoria III lekë/m² 400 200 150 150



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›