Ulja e normës bazë të interesit, Biznesi: Vendimi i vonuar
Konfindustria shpreh rezervat e saj lidhur me kohën dhe ndikimin në ekonomi të vendimit të fundit të Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit.
Konfindustria vlerëson, se sikurse në vazhdimësi në gjithë periudhën kohore, që përkon me krizën globale dhe përcjelljen e pasojave të saj në ekonominë shqiptare, Banka e Shqipërisë ka qenë e vonuar në kohë në marrjen e masave lehtësuese për nxitjen e kreditimit nga sistemi bankar. Vonesat e ndërhyrjeve nga ana e Bankës së Shqipërisë shoqëruar dhe me mundësitë e kufizuara objektivisht për arsye se portofoli i kredive vetëm në 1/4 e masës së përgjithshme është në monedhën kombëtare Lek si dhe me gjendjen e pakënaqshme të shkallës së konkurrencës në sistemin bankar të nivelit të dytë me shenja të dukshme oligopoli, kanë rënduar gjendjen e biznesit dhe ekonomisë reale shqiptare.
Pasoja të qarta të politikave te mësipërme janë rritja në shkallë të lartë dhe prej 25% të kredive me probleme në masën e përgjithshme të portofolit të kredive si dhe përhapjen e dukurisë së rrezikshme të marrjes së parave me fajde nga bizneset si mënyrë plotësuese e kreditimit të munguar nga sistemi bankar.
Konfindustria vlerëson, se sa më sipër jo vetëm nuk ka lehtësuar ndikimin e krizës globale në ekonominë reale të vendit, por e ka renduar më tej duke ndalur në mënyrë skajore kreditimin për biznesin dhe qytetarët edhe pse në raport me vendet e rajonit depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar dhe në mungesë të tregut të kapitaleve kanë qenë në shkallë të kënaqshme. Për më shumë pothuajse gjatë gjithë periudhës kohore të krizës globale 2008-2013 inflacioni ka qëndruar në skajet fundore të shënjestrimit të parashikuar, duke e bërë të pashpjegueshëm mosndërhyrjen në kohë të Bankës së Shqipërisë.