E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Mbështesim autoritetin kushtetues të Presidentit



Eljona Ballhysa
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, është shprehur dje, për mediat, se partia që ai përfaqëson mbështet autoritetin kushtetues të Presidentit të Republikës. Ai sqaroi se LSI-ja është një parti që ruan identitetin e saj politik dhe se në lidhje me debatin e fundit për mungesën e emërimit të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ai deklaroi, në emër të LSI-së se “raporti mes Presidentit dhe pushteteve të tjera, më konkretisht, mes Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, mes Presidentit të Republikës dhe qeverisë, mes Presidentit të Republikës dhe organeve të Drejtësisë, janë marrëdhënie që ndërtohen mbi bazë të Kushtetutës, që funksionojnë në zbatim të Kushtetutës, dhe që duhen vlerësuar dhe gjykuar vetëm në raport apo në funksion të korrektesës së tyre ndaj Kushtetutës së vendit. Çdo koment tjetër është i padobishëm, dhe nuk dua të vazhdoj me debate që dalin jashtë këtij konteksti që i lidh këto institucione, në veprim, ndërveprim, dhe funksionim të tyre në raport me Kushtetutën”, - është shprehur sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.
Qëndrimi
I pyetur, nëse LSI-ja do t’i bashkohet qëndrimit të shprehur nga PD-ja se Partia Demokratike ka të gjitha mekanizmat ligjorë për të mënjanuar vendin vakant, deri në një thirrje emergjente të parlamentit, Rama sqaroi se LSI-ja ka treguar edhe në raste të tjera se është një parti që ruan identitetin e saj politik. “Ka pasur raste dhe ne e kemi deklaruar, që me rastin e votimit të disa kandidaturave të sjella nga Presidenti i Republikës, kemi mbajtur qëndrim të ndryshëm nga ai i Partisë Demokratike. Ka qenë qëndrim i ndryshëm, për shkak të bindjes sonë të së drejtës së presidentit, e shprehur kjo përmes dekreteve të tij, për të shprehur emrat që do të përbënin Gjykatën e Lartë. Ne jemi shumë korrekt në qëndrimin ndaj çdo institucioni dhe respektojmë rreptësisht autoritetin kushtetues, në rastin konkret të Presidentit të Republikës, dhe është e udhës dhe e domosdoshme që palët të gjykohen dhe të vihen në lëvizje në raport dhe në respekt të kushtetutës”, - është shprehur Rama.
Ai ka sqaruar për mediat se qëndrimi ndryshe i LSI-së nuk ka sjellë asnjë çarje të koalicionit qeverisës, dhe se koalicioni PD-LSI vazhdon të funksionojë shumë mirë.
“Theksoj se nuk ka asnjë shenjë të krisjes, apo krizë në marrëdhëniet midis partnerëve në qeverisje. Nuk ka asnjë problem në funksionimin mes partnerëve në qeverisje. Ne i respektojmë sensibilitetet dhe qëndrimet e ndryshme tonat dhe të PD-së dhe nga ana tjetër kemi gjetur të njëjtin sensibilitete dhe luajalitet edhe në qëndrimet e PD-së ndaj votimeve ndryshe, apo ndaj qëndrimeve ndryshe të mbajtura nga LSI-ja. Kjo sepse ka qenë një kusht i rëndësishëm që në krye të herës, që në rastin kur ne jemi ulur për të nënshkruar marrëveshje me PD-në, që të respektojmë identitetin politik të secilës palë. Deri tani kjo gjë ka funksionuar në mënyrë korrekte dhe serioze dhe nuk ka arsye pse të mos vazhdojë në mënyrë të tillë dhe më tej”, - është shprehur Luan Rama.
Opozita
Më tej sekretari i Përgjithshëm i LSI-së ka komentuar qëndrimin e opozitës socialiste duke bërë të ditur se kjo opozitë nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç protestave dhe bojkotit. “Kemi mbyllur një javë politike që nisi me debatin votimit të ndryshimeve në buxhetin e vitit dhe me artikulimet e zakonshme të asaj pjese të opozitës që përfaqëson lidershipi i Partisë Socialiste, i cili ka artikuluar aksionin politik të vjeshtës, çka paralajmëron rikthimin në traditën e vjetër apo në praktikën vjetër të bojkotit, protestave dhe llogarive që ndërtohen rezultate që ushqyen iluzionin e fitores edhe në zgjedhjet e kaluara dhe rezultati solli të kundërtën e përllogaritjeve që bënë enturazhi që e rrethon lidershipin e PS-së. Ato çka deklaron kryetari aktual i PS-së, shprehin në thelb mungesën e alternativës. Duke qenë se janë të pazotë të konkurrojnë me alternativat, paralajmërojnë një vjeshtë të mbushur me protesta, apo me shfaqje të tjera të sjelljes së një politike vërtet jashtë të majtës dhe të djathtës europiane”, - është shprehur Rama.

2 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›