Fier, vrasje makabre e 32-vjeçarit
Gjendet i masakruar një i ri fierak, i cili është rrëmbyer dhe vrarë më pas në një tunel të ish-repartit ushtarak të tankeve në Levan të Fierit. Policia lokale e ka identifikuar viktimën rreth tri orë pasi është gjetur nga banorët e zonës, ndërsa ka nisur hetimet mbi mjaft persona të komunitetit rom që jetojnë në Levan. Viktima është 32-vjeçari Leonard Hazizaj, banor i fshatit Strum, komuna me të njëjtin emër në Rrethin e Fierit, i cili është dënuar më parë për mashtrim. Policia lokale ende nuk ka një variant përfundimtar të ngjarjes, por nga hetimet paraprake mësohet se masakrimi i Hazizajt dyshohet të ketë ndodhur dy ditë më parë. Ai ishte nisur që prej së enjtes për tek e fejuara, që jeton në Levan, por nuk ka mundur të mbërrijë në destinacion. Familjarët e tij nuk kishin asnjë informacion që prej dy ditësh. Ndërkaq, policia pohon se rrugës për në fshatin fqinj ai është rrëmbyer, dhunuar dhe më pas vrarë me armë zjarri. Sipas burimeve zyrtare të policisë Fier, kanë qenë banorët e zonës që duke kullotur bagëtitë në sipërfaqet me shkurre dhe pemë që ndodhen pranë ish-repartit të tankeve, kanë pikasur kufomën. Vendi ku u gjet viktima ndodhet vetëm 1 km larg lagjes së romëve të Levanit, dhe po aq nga fshati Frakull, ndërkohë që nga Fierit ndodhet rreth 10 km larg. Të alarmuar banorët kanë njoftuar sallën e komandës së policisë Fier. Menjëherë drejt vendit të ngjarjes është nisur një ekip ekspertësh. Viktima është gjetur jo në thellësi të tunelit, i mbuluar me dhé, por si shkak i shirave dhe gërryerjes së tokës një pjesë e trupit të tij ishte shfaqur. Burimet policore tregojnë se gjatë kontrollit që i është bërë trupit të viktimës është konfirmuar se viktima ka pasur plagë zjarri të shumta në kokë. "Plagët mendohen se janë katër, pasi dy plumba kanë hyrë dhe kanë dalë nga koka. Plagët mendohet se kanë qenë të shkaktuara nga plumbat e një arme zjarri, të tipit pistoletë", kanë thënë për gazetën burime nga grupi i hetimit.
Ndërsa viktima është gjetur rreth orës 09:30 të mëngjesit të së shtunës, identifikimi është bërë pas mesditës. Ai është transportuar drejt morgut të spitalit rajonal, ku dhe u është nënshtruar ekspertizave të mëtejshme. Në trupin e tij janë gjetur shenja dhune, të cilat mendohet se kanë qenë të vjetra, ndërkohë që vdekja dyshohet se i ka ardhur nga goditja me pistoletë në kokë.
Hetimet
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se dy janë pistat kryesore ku po punohet. Një prej tyre lidhet me një ngjarje të ndodhur në vitin 1997, kur në lagjen "1 Maj" të Fierit mbetën të vrarë 21 persona të komunitetit rom. Ndërkohë që po hetohet dhe pista e grabitjes. Gjatë ditës së shtunë policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona, kryesisht romë, ndërkohë që dy prej tyre janë mbajtur më gjatë në komisarit.