Viti i dytë, policëve u mohohet paga e 13-të
Sikur të mos mjaftonin hallet për punonjësit e policisë, të cilëve u kanë lindur probleme me bllokimin e ligjit të ri për pensionet suplementare, ata që janë aktualisht në punë nuk kanë përfituar as shpërblimin deri në një pagë nga qeveria, siç është përcaktuar në ligjin për policinë. Edhe këtë vit kabineti qeveritar ka menduar që punonjësit e policisë të përfitojnë vetëm 10 mijë lekë (nëntëmijë lekë pa taksën e sheshtë 10%), duke thelluar edhe më tej krizën financiare për punonjësit e policisë, për të cilët ka pasur shumë premtime, se do të ngrihen pagat, do të kenë trajtim të veçantë, apo edhe të tjera. Sindikata e punonjësve të policisë, e vetmja që po mundohet të mbrojë interesat e tyre financiare, pavarësisht se nuk ka gjetur terren dhe vullnet politik për këtë shtresë që siguron rendin publik, ka kërkuar disa herë që qeveria të marrë parasysh shpërblimet në fund të vitit për të gjithë punonjësit e policisë, ashtu siç e parashikon edhe ligji për Policinë e Shtetit. Gjithashtu, sindikata ka kërkuar që të paguhen edhe orët suplementare, të cilat qeveria nuk i ka dhënë prej më se një viti. Pa kohë më parë, në një njoftim për shtyp, Sindikata e Policisë ka deklaruar për mediat se një kërkesë të tillë ia ka dërguar qeverisë dhe pret që ajo të marrë vendimin e duhur për familjet e punonjësve të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike. Kjo kërkesë bazohet në ligjin e Policisë së Shtetit. Pikërisht në nenin 88, pika 5, thuhet se punonjësit e Policisë së Shtetit përfitojnë çdo vit në fund të vitit financiar një shpërblim deri në një pagë mujore. Ky shpërblim jepet në bazë të një shkalle përpjesëtueshmërie, që pasqyron kohën e punës së kryer gjatë gjithë vitit financiar. Punonjësit që nuk kanë mungesa në punë, për çfarëdo arsye, përveç kohës së pushimit, kanë të drejtën e shpërblimit të plotë. Kjo pagë nuk përfitohet në rastet kur punonjësi është ndëshkuar me masën përjashtim nga Policia e Shtetit", sqaron Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit. Më tej, sindikata e policisë ka shpjeguar se ligjet në fuqi parashikojnë edhe shpërblimet për orët suplementare. Në Kontratën Kolektive të Punës, nr. 1966, datë 03.04.2009, neni 5, shprehet se "Punëdhënësi duhet të respektojë të drejtat e punëmarrësve, sipas përcaktimit të ligjit 7961, datë 12.07.1995 (Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar), konkretisht neni 91, ku shprehet: "Orët suplementare mund të kompensohen me pushim ose me pagesë shtesë jo më pak se 25% të saj".